TIRANE - Pas katër orësh Policia e Tiranës ka zbardhur detaje të reja mbi plagosjen e 25-vjeçarit Erald Bletës. Policia sqaron se autori i plagosjes është Gevi Spahiu, 17 vjeç, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Ditën e sotme rreth orës 12:55, Erald Bleta, 25 vjeç është plagosur me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Margarita Tutulani”, tek lagjia 21-dhjetori.

25-vjeçari i plagosur është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, nga ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Sipas të dhënave të policisë shkak për plagosjen e sotme është bërë një zënkë që ka nisur dje, pasi Spahiu u kafshua nga qeni i Erald Bletës. Për këtë arsye 17-vjeçari ka plagosur ditën e sotme me armë zjarri Erald Bletën.

Forcat e komisariatit numër 2 të Tiranës po punojnë për gjetjen dhe kapjen e 17-vjeçarit Gevi Spahiu, pasi akuzohet për plagosje me dashje me armë zjarri.

PLAGOSEN ME THIKE 3 NXENES
Ndërkohë që rreth orës 13:25 një plagosje me thikë ka ndodhur pranë shkollës së mesme “Besnik Sykja”. Mësohet se 4 nxënës të shkollës, tre vëllezër dhe një tjetër janë grindur me njëri-tjetrin, pas një sherri që ka ndodhur në oborrin e shkollës.

Zënka ka vazhduar edhe jashtë oborrit të shkollës dhe në një rrugicë dytësore që lidh bulevardin “Bajram Curri” me shkollën “Besnik Sykja”, ku Elian Dibra 17 vjeç, Argjent dhe Arben Dibra, të 3 vëllezër kanë mbetur të plagosur me thikë.

Sipas një dëshmitari të rastit, autori ka qëlluar me thikë dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke e hedhur dhe thikën në një grumbull mbeturinash që ndodhej aty pranë.

Tre të plagosurit janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku mësohet se Argjent Dibra është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa dy vëllezërit e tij janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas Policisë së Tiranës 3 vëllezërit njiheshin me personin që i ka plagosur, pasi ai është shok klase me vëllain e vogël, Elianin.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)