TIRANE - Dje një 32-vjeçar, pas 3 orësh është gjendur i pajetë nën gërmadha teksa mblidhte skrap pranë një ndërtese 3-katëshe në zonën e Kombinatit.

Metush Rama, ka qenë duke punuar me matrapik për shkëputjen e hekurit nga pjesët e kësaj ndërtese, të cilat mund të shiten për skrap në pika të caktuara të grumbullimit të tyre. Dyshohet që punimet me matrapik të kenë shkaktuar edhe shembjen e banesës.

Kërkimet për trupin e tij filluan me rreth 3 orë vonesë, për shkak të mungesës së ekskavatorëve në gjendje pune. Trupi i tij u zbulua në më pak se një orë pas nisjes së kërkimeve.

Policia bëri të ditur sot se viktima Metush Rama është dërguar në morgun e Tiranës, ku i është nënshtuar autopsisë, ku shkaku i vdekjes ka ardhur si pasojë e asfiksisë.

"Dëgjuam të bërtitura!" Janë këto deklarata të banorëve të cilat vunë në lëvizje uniformat blu për të filluar kërkimet. Familjarët u njoftuan nga policia dhe shkuan në vendngjarje, pasi i afërmi i tyre nuk i përgjigjej në telefon.

Mësohet se babai i Metush Ramës, edhe pse i pamundur, u bë edhe vetë pjesë e operacionit të kërkim të djalit të tij. Mbrëmë qytetarët ishin të irrituar nga vonesa e punës, aq sa u shprehën se më shpejt kanë ardhur ata nga Kukësi sesa ekskavatori nga Tirana.

*Lajmi u publikua fillimisht dje dhe u përditësua sot

Redaksia Online
(Gre.M/ar.sh/Shqiptarja.com)