TIRANE-Shënohet një tjetër krim në familje. Një punonjës i Gardës së Republikës ka vrarë gruan me armë e shërbimit. Autori është Alket Arapaj 44-vjeç, ndërsa viktima është Ervilma Seferaj 36-vjeçe. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit në banesën e tyre në Allias. Gardisti e ka qëlluar tre herë me armën e shërbimit gruan duke e lënë të vdekur në vend. Kanë qenë fqinjët që kanë lajmëruar policinë pasi dëgjuan të shtënat me armë zjarri dhe fëmijën duke qarë.

Pas ngjarjes, 44-vjeçari është arrestuar menjëherë nga shërbimet e policisë. Çifti ka një fëmijë.  Report Tv ka zbardhur dëshminë e gardistit. Alket Arapaj është shprehur se bashkëshorten e vrau pasi e tradhtonte. Gardisti është me arsim të lartë ushtarak (1993-1997), me gradën Kapiten me 21 vite punë ne Gardën e Republikës. Në rrethin shoqëror dhe familjar Arapaj njihet si person i sjellshëm dhe praktikues i fesë Islame, ndërsa edhe gruaja ishte e mbuluar.

Alket Arapaj ishte i pajisur me armë e shërbimit tip pistoletë, të cilën në bazë të ligjit ka të drejtë ta mbajë me vete edhe jashtë orëve të shërbimit. Krimi në familje në Shqipëri ka marrë përmasa të frikshme, pasi vetëm në 40 ditët e para të këtij viti janë shënuar gjashtë viktima (lexo këtu). Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:01
Statusi që paralajmëroi vrasjen? Ja çfarë shkruante gardisti 2 javë më parë

Gardisti Alket Arapaj që vrau gruan në Allias deklaroi sot para grupit hetimor se e kishte ekzekutuar me armën e shërbimit pasi e tradhtonte. Ndërkohë që nga një kërkim në faqen e tij në rrjetet sociale, Arapaj para një dy javësh kishte bërë një status pikërisht për tradhtinë. "Tradhtia fodulle shkëlqen thjeshtë sa për një intermexo edhe nëse është e hidhur shumë" shkruante gardisti. 

Statusi i gardistit ne rrjetet sociale rreth dy jave me pare
Ora 12:51
Zbardhet dëshmia e gardistit: Gruan e vrava pasi më tradhtonte

Report Tv ka zbardhur dëshminë e gardistit që vrau gruan mëngjesin e sotëm në Allias të Tiranës. Alket Arapaj është shprehur se bashkëshorten e vrau pasi e tradhtonte.

"Gruaja me tradhtonte prandaj e vrava. Edhe në shtëpi dhe gjeja gjërat të lëvizura. Kohët e fundit më ishin shtuar dyshimet për tradhëtinë. Më vjen keq për vajzën, jam familjar i rregullt" tha ai para grupit hetimor.

 

Ora 10:48
Ngjarje e rëndë në Tiranë, gardisti vret gruan (FOTO)

Shqiptarja.com publikon fotot e autorit të krimit në familje Alket Arapaj dhe bashkëshortes së tij e cila humbi jetën pasi u qëllua me armë nga burri i saj gardist. 44-vjeçari qëlloi gruan e tij në ambientet e apartamentit ku banonin në zonën e Alliasit në Tiranë.

Ora 09:13
Vrasja në Tiranë, fqinjët: Ishin njerëz me fe, nusja ishte e mbuluar

Fqinjët e familjes Arapaj në Allias shprehen të tronditur nga ngjarja e rëndë. "Unë kam 50-vjet që jetoj këtu, edhe ata jetonin këtu. Nëna dhe i ati kanë ikur te djali tjetër dhe vinin në mars. Nusja dilte dhe mbushte ujë, e shikoja shpesh. Djali shkonte në punë. Kanë një vajzë 3-vjeçe. Është një ngjarje e paparë. Më vjen shumë keq, jemi të tronditur" tha njëra nga fqinjet.

Ndërsa një tjetër fqinje shton se 'Ata janë familje shumë e mirë, edhe ai dhe e shoqja shumë të mirë. Njerëz me fe, pasi faleshin. Jemi habitur kur jemi zgjuar. Brenda në familje nuk e di, por nuk kemi dëgjuar për grindje. Nuk e di, do të ketë qenë ndonjë moment....pa dashje, gabimisht, pasi nuk ka mundësi që ai njeri kaq i mirë të vriste'.

Ora 08:59
Gardisti u prangos poshtë pallatit (Pamjet nga banesa)

Report Tv sjell pamjet nga pallati ku banonte çifti Arapaj në Allias. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta thotë se gardisti është arrestuar nga policia poshtë pallatit, sapo kishte dalë nga banesa pasi vrau gruan me armën e shërbimit. Ndërkohë që fqinjët jashtë kamerave thonë se çifti kishte grindje të herë pas hershme.