TIRANË- Policia e Tiranës zbuloi një bazë armësh që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale. Armët mbaheshin në një banesë private në Picallë të Tiranës. Aty policia gjeti armë nëpër sirtarët e komodinave në një dhomë gjumi, dhe në një kasolle jashtë banesës.

Në total u sekuestruan 5 automatikë, 1 pushkë dhe 3 pistoletë, 1 armë gjahu, silenciator, uniforma dhe pajisje të ngjashme me ato të Policisë, rreth 900 fishekë luftarakë, fitila zjarr përcjellës dhe kapsolla detonatore.

Blutë shpallën në kërkim poseduesin e bazës së armatimit Oltjan Qershori 41 vjeç, ndërsa arrestuan nënë e tij të cilën e gjetën në banesë, një 66-vjeçare.

Agjentët e Komisariatit nr. 1 kishin informacion se Qershori kishte një armë "sharrz" pa leje dhe organizuan operacionin. Kur kanë mbërritur te shtëpia e tij në Picallë, ka parë makinat me fenelina të policisë dhe ka ikur me vrap. Në shtëpi kanë gjetur më pas gjithë arsenalin dhe vetëm nënën e tij brenda, e cila fillimisht ka pretenduar se nuk janë armët e tyre.

Oltjan Qershori rezulton të ketë qenë më herët pjesë e Forcave të Armatosura, por i përjashtuar nga ushtria për sjellje jo korrekte pak vite më parë. Qershori nuk rezulton me precedent të regjistruar, por dyshimet janë të forta se po bashkëpunonte me grupe kriminale për shitjen e tyre. Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertizë, nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.

Çfarë u sekuestrua?
5 armë zjarri automatike,
1 armë zjarri pushkë,
3 armë zjarri pistoleta,
1 armë gjahu,
1 bajonetë,
silenciator,
uniforma dhe pajisje të ngjashme me ato të Policisë
900 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm
fitila zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë