TIRANË - Një kambist është sulmuar në orët e vona të mbrëmjes ( e marte, 31 korrik) nga katër persona të panjohur  të cilë pasi e kanë masakruar me leva i kanë marrë një shumë prej 100 milionë lekësh të vjetra.

Skënder Hasani një kambist i vjetër ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00 të darkës në zonën pranë Librit Universitar në Tiranë.

Grabitësit e kanë ndjekur kambistin dhe porsa ky i fundit ka hipur në ashensorin e pallatit kanë nisur ta godasin me leva. Pasi janë siguruar se kambisti ishte pa ndjenja i kanë marrë çantën me lekë që kishte me vete. Mësohet se kambisti ka marrë disa plagë të rënda në kokë dhe në trup dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital.  

Autorët janë larguar me shpejtësi nga pallati duke shfrytëzuar zonën e pandriçuar dhe rrugicat e shumta. Kanë qenë banorët e pallatit ata që kanë ndihmuar të parët kambistin Hasani për ta çuar në spital dhe që kanë njoftuar policinë. Forca të shumta të komisariatit nr.2 të kryeqytetit kanë kryer veprimet e para hetimore si dhe janë vënë në ndjekje të autorëve.
(hh/bm/shqiptarja.com)