Tiranë, grabitet roja e karburantit
në Kamzë, i marrin 400 mijë lekë

Tiranë, grabitet roja e karburantit<br />në Kamzë, i marrin 400 mijë lekë
TIRANË - Rikthehen grabitjet e dhunshme në kryeqytet, ku pre e tyre ka rënë roja i një karburanti, i cili është goditur me mjete të forta dhe i kanë vjedhur paratë e xhiros ditore. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Institutit gjatë orëve të vona të natës, ndërkohë që policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e këtij krimi të rëndë.

Ngjarja
Burimet policore nga seksioni i grabitjeve me armë bënë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur dy net më parë dhe salla operative është njoftuar nga roja i dhunuar i karburantit. Sipas të dhënave, pak pas mesnatës, ka telefonuar Fatmir Çuni, 47 vjeç, i cili ka deklaruar se ishte roje i një karburanti në rrugën që të çon për Kamzë, sapo kalon zonën e Institutit, pa mbërritur te kryqëzimi i Bathores.

Ai ka shpjeguar për policinë se dy persona pa maska, të cilët ishin të armatosur e kanë kërcënuar dhe rrahur, me qëllim për ta grabitur. Me t’u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e komisariatit nr. 5, të cilat kanë marrë kontakt me rojën e dëmtuar, ndërkohë që më vonë është ngritur një grup hetimor nga specialistët e seksionit kundër vjedhjeve me armë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Nga dëshmia e rojës është mësuar se dy personat, të cilët ishin pa maska janë afruar te karburanti, në kohën që nuk kishte lëvizje mjetesh apo njerëzish, duke shfrytëzuar edhe orët e vona të natës.

Më pas, ata kanë kërcënuar rojën me një armë që nuk e nxirrnin nga xhepi, duke i kërkuar paratë e xhiros. Fillimisht, roja nuk ka pranuar, por ata e kanë goditur me leva, duke i marrë me forcë rreth 400 mijë lekë të vjetra. Pas kësaj, të dy autorët janë larguar me vrap, duke përfituar nga errësira. Roja ka treguar drejtimin dhe karakteristikat e dy grabitësve, që sipas tij, nuk i kishte parë ndonjëherë më parë. Ai ka treguar se ata ishin të moshës 20-25 vjeç dhe flisnin me dialekt nga veriu.

Kërkimet
Në këto kushte, policia ka nisur menjëherë kërkimet rreth zonës së grabitjes, ku ka shoqëruar disa të rinj të dyshuar, por ata janë lënë sërish të lirë. Nga ana tjetër, burimet policore thanë se dyshohet se grabitësit nuk janë banorë të zonës, por që mendohet se kanë bashkëpunuar me persona, që e njihnin rojën e karburantit dhe aktivitetin e këtij biznesi. Sipas grupit hetimor, që prej dy netësh, policia ka shtuar kontrollet në këtë zonë dhe ka shpërndarë agjentët e saj në terren, me qëllim për të mbledhur sa më shumë informacione mbi këtë rast dhe për të identifikuar autorët e krimit.

Grabitjet, prej disa kohësh janë kthyer në një gangrenë për policinë e kryeqytetit, ndërkohë që zbulueshmëria nuk ka qenë në nivele shumë të larta edhe për shkak të faktit se Tirana është një zonë metropolitane. Sipas specialistëve të policisë, shpesh herë vijnë persona me precedentë penalë nga rrethe të tjera, kryejnë vepra penale në Tiranë dhe largohen brenda natës, duke vështirësuar tej mase zbulimin e tyre.

Shkrimi u publikua sot (26.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania