Tiranë, gratë milionere
dhurojnë rrobat firmato

Tiranë, gratë milionere<br />dhurojnë rrobat firmato
Rroba firmato, të blera mijëra euro nga të pasurit e Shqipërisë dhe që shiten shumë lirë. Kjo e ka bërë një ndër butikët më të preferuar të Tiranës, por edhe sepse shitëset aty janë vërtet speciale. Herë mund të gjesh pedagogen e njohur të gazetarisë, Iris Luarasin, e here të tjera mund të të shërbejë edhe zëvendësambasadorja e SHBA në vendin tonë, Deborah Jones. E gjitha për një qëllim bamirësie: të ndihmojnë gratë e dhunuara. I hapur vetëm në fundjavë, dje dita ka qenë paksa më e qetë për "Ëomen ëe love", për shkak të shiut të rrëmbyer që ka rënë në Tiranë, përgjatë orarit kur dyqani rri hapur. Megjithatë, një nga nismëtaret, Iris Luarasi na tregon se edhe dje nuk kanë munguar vizitorët.

"Kemi pasur disa shitje edhe sot, jo si ditët e tjera sepse sot ka qenë shumë shi, por vizitorët nuk na kanë munguar", - na tregon ajo. Ata që shkojnë për të blerë në këtë dyqan janë nga të gjitha shtresat dhe nuk e kanë fare problem se të kujt janë rrobat që ata do të marrin. "Madje ka nga ata që duan ta dinë me ngulm se të kujt janë se mund t'iu pëlqejnë si personazhe. Ne kemi një kliente të rregullt, që është e fiksuar pas gjerave që sjell Jonida Maliqi dhe sapo kemi ndonjë gjë të Jonidës ne e njoftojmë. Dhe ajo i blen gjithmonë. Pra nuk përbën fare problem se kush i ka veshur këto rroba", - na shpjegon njëra prej vajzave që shiste dje vullnetarisht në dyqan. Sa i përket rrobave që kanë të varur në dollap, ata në pjesën më të madhe janë firmato, sigurisht të mbajtura mirë dhe me kujdes apo në disa raste edhe të paveshura asnjëherë.
Kështu aty mund të gjesh një pale pantallona "Ferre", të cilët çmimi I etiketës tregon se janë blerë rreth 1300 euro, por që shiten vetëm 10 mijë lekë, ashtu siç janë shitur në javën e parë dy fustane "Roberto Cavalli" me nga 5 mijë lekë të reja secili. Një palë këpucë të reja, një shall "Christian Dior" dhe shumë fustane, kostume e pallto të firmave më të njohura në botë.

DHURUESET
Megjithëse vetë Irisi nuk pranon të na tregojë se kush janë gratë e pasura të Shqipërisë që dhurojnë, pasi nuk do t'i japë një ngjyrim politik, kësaj nisme të tyres, ne arrijmë të zbulojmë disa prej tyre. Vjollca Hoxha, bashkëshortja e themeluesit të "Top Channel" Dritan Hoxha, është njëra prej atyre që kanë kontribuuar më shumë për të mbushur dollapët e këtij butiku bamirësi. Deborah Jons, zëvendës ambasadorja amerikane ka dhënë shumë gjëra personale, madje edhe ka ndihmuar duke shitur vullnetarisht, ndërsa shumë donacione kanë ardhur në këtë dyqan nën emrin e bashkëshortes së biznesmenit të njohur në vendin tonë, Zamir Mane. Ndërsa këngëtarja Jonida Maliqi, ka tashmë edhe fansat e saj në këtë dyqan që sapo marrin vesh që ajo ka dhuruar diçka, nxitojnë me vrap ta bëjnë të tyren. Në këtë listë të gjatë ka plot femra të televizionit dhe skenës që dhurojnë.

Si iu lindi ideja për të hapur një dyqan të tillë?
Kjo është një ide për herë të parë në Shqipëri, por nuk është një ide për herë të pare në botë. Dyqani të tilla ka kudo. Meqë unë drejtoj një organizatë që ka lidhje me viktimat e dhunës së familjes, në bashkëpunim me miqtë dhe partnerët tanë të huaj po mendonim që si të bëjmë një gjë që qendra të mos varet gjithmonë nga donacionet e huaj.

Të natyrës?
Abazhurë, një set perdesh, një komplet pjatash që janë të mira, por ti i ke në shtëpi prej kohësh... Pjesa tjetër që duhet të targetonim ishin kategoria që do të vinin t'i blinin. Dhe në fakt unë kisha parë që njerëzit ishin tëinteresuar. Java e parë në të vërtetë ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Nuk ma prisja mendja kurrë që do të kishim kaq shumë njerëz që na vizituan në dyqan, kur ai është I hapur vetëm dy gjysma ditësh: të premten pasdite nga ora 16:00-19:00 dhe të shtunën nga ora 10:00- 13:00.

Kush shet aty?
Aty çdo gjë bëhet vullnetarisht. Unë kam dalë kam shitur vullnetarisht, zëvendës ambasadorja amerikane ka dhënë kontributin e saj duke shitur gjithë ditën e shtunë vullnetarisht.

Besoj se një pjesë e madhe e gjërave që i sjellin në dyqan janë të një cilësie shumë të mirë, firmato?
Po, po. Një pjesë janë të një cilësie shumë të mirë. Janë shitur dy fustane "Roberto Cavalli" që ishin të jashtëzakonshëm, dhe për fatin tone të keq janë shitur vetëm 5 mijë lekë të reja.

Po pse i shitët kaq lirë?
Në fakt kishim frikë se nuk do të kishim klientë ndaj edhe i vendosëm çmimet kaq të ulëta.

Kush i kishte dhuruar këto fustanet?
Kemi vendosur që të mos i themi emrat e atyre që dhurojnë. Një pjesë e tyre janë figura politike dhe nuk do të donim që të gjithë kësaj nismës sonë t'i jepnin një profil politik. Një pjesë janë figura publike, një pjesë janë gra të pasura që thjesht duan të jenë anonime.

A dhurojnë gratë e politikës?
Një pjesë po.

Cila kategori ka dhuruar më shumë; gra të politikës, të biznesit apo të artit?
Biznesmene. Ne nuk i themi kurrë jo asnjë lloj gjëje, por bëjmë një lloj seleksionimi të rrobave që shesim në dyqan.

Ata që i blejnë, nuk e kanë problem të veshin rrobën e dikujt tjetër që mund ta takojnë gjatë punëve të tyre?
Unë e kisha këtë frikë, por "boom-i" i madh i njerëzve që na kanë pllakosur në dyqan të premten dhe të shtunën ma rrëzoi çdo lloj dyshimi që kisha.

Po ti vetë, duke e ditur edhe se kush e ka dhuruar, ke pasur tundimin të marrësh ndonjë gjë?
Po, po, kam marrë një çantë për vete. Arsyeja pse e bën këtë gjë është se ti e mendon që edhe duke blerë ke bërë një donacion. E vetmja frikë që kam unë është nëse do të vazhdojë një sjellje e gjërave kaq cilësore, siç na kanë ardhur deri më tani. Sepse shumica e njerëzve kur pastrojnë garderobën, gjërat e mira ua falin njerëzve të tyre. Por ka ardhur koha që njerëzit e pasur, edhe në Shqipëri, të bëjnë një bamirësi edhe nëse nuk merr një falënderim të menjëhershëm.

Po përfaqësitë diplomatike janë të angazhuar?
Një pjesë e tyre janë, me pjesën tjetër po punojmë. Pasi kjo nismë sapo ka nisur. Ambasadori Seqqui na premtoi se do të vijë të sjellë disa gjëra dhe të blejë ca të tjera në dyqan. Gra të tjera të rëndësishme na kanë thënë se do ishin shumë të lumtura të ofronin kontributin e tyre duke shitur vetë një ditë në dyqan.

Ku i merrni këto dhurimet? Keni një ditë të caktuar?
Nuk kemi një orar, por kemi një numër ku ata mund të kontaktojnë dhe në çfarëdo lloj momenti do që ta heqësh pakon, ose lë një orë takimi ose vend takimi dhe ne dërgojmë dike që ta marri.

Cili ka qenë dhurimi më i shtrenjtë që iu ka ardhur?
Nuk e di, pasi nuk mund ta pyesësh atë që dhuron se sa lekë e ke blerë këtë. Por ka pasur gjëra me shumë vlerë.

Po nëse flasim për firma të njohura në mbarë botën, a ka pasur?
Po ka pasur. Aty janë tregtuar costume "D&Gabbana", çanta "Cartier", "Galiano", nja dy peliçe shumë të shtrenjta, fustane "Roberto Cavalli', pantallona "Barbery", "Hermes", "Versace", "Ferre", etj. Ka pasur edhe disa donacione "Sëarovski", të cilat shitur në mënyrë të paparë.

Keni bërë një llogari se sa mund të jenë mbledhur nga shitjet e dy ditëve të para dhe për çfarë do i përdorni të ardhurat?
Në javën e parë të shitjeve janë mbledhur shumë, por nuk do t'i shpenzojmë menjëherë, një pjesë do t'i lëmë për raste emergjente, se ndonjëherë gratë vijnë në strehëz bashkë me fëmijët dhe mund të kenë nevojë që t'u blihen libra, fletore dhe një pjesë e mirë do të shkojë për të mbuluar shërbimet e këshillimit.

Një mesazh për të gjithë ata që ju mund t'i keni bamirës dhe klientë të mundshëm?
Mesazhi i parë është për të gjithë njerëzit e pasur të Shqipërisë, por edhe ata që i përkasin shtresës së mesme dhe që mendojnë se mund të luftojnë dhunën në familje duke kontribuar sado pak, të vijnë ta bëjnë atë donacionin. Mesazhi i dytë është për grupin që kontribuojnë duke blerë do t'u thoja që te rruga "Budi", përballë restorant "Floga", aty ndodhet dyqani jonë "Women we love" dhe mund të kontribuojnë duke blerë diçka.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    6 muaj mungesë në Kuvend për shkak të arrestit, a duhet t'i hiqet mandati Berishës?



×

Lajmi i fundit

Sulmi me armë në lokalinë e shqiptarëve në Bruksel! Në shënjeshtër kafeneja jo klientët, autorët udhëtuan me skuter

Sulmi me armë në lokalinë e shqiptarëve në Bruksel! Në shënjeshtër kafeneja jo klientët, autorët udhëtuan me skuter