Tiranë, gruaja e Martin Camajt:E
lumtur që u martova me shqipta

Tiranë, gruaja e Martin Camajt:E<br />lumtur që u martova me shqipta
Ndërsa pak ditë na ndajnë nga 25-vjetori i vdekjes së shkrimtarit Martin Camaj, Erika Camaj bashkëshortja e tij gjermane ndodhet në Tiranë për të ndjekur aktivitetet që do të zhvillohen për nder të tij.

Në një takim me gazetarët në shtëpinë botuese “Onufri”, Erika Camaj e pyetur nga “Shqiptarja.com” se sa e perceptueshme është vepra e Martinit nga vetë ajo, kur e gjitha është shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët, është shprehur se e gëzon fakti që shumë personalitete shqiptare e vlerësojnë shkrimtarin, ndërsa për të ishte e natyrshme të kuptohej mirë, përderisa ajo ishte e lumtur dhe e vetëdijshme që u martua me një shqiptar.

“Kam dëgjuar se shumë personalitete shqiptare që e vlerësojnë Camajn. Kjo më gëzon. Unë e kam përjetuar veprën e tij me elementë të theksuar shqiptarë, sepse që kur u martova me të isha e lumtur dhe e vetëdijshme që po jetoja me një shqiptar”, është shprehur Erika. 

Ndërsa studiuesi i veprës së Camajt, Bardhyl Demiraj u shpreh në takimin e gazetarëve me Erika Camaj se “Është tragjedi e madhe që krijimtaria e tij që shkruhej shqip në Gjermani e për Shqipërinë nuk kishte komunikim me lexuesit shqiptar".

Erika Camaj ka ardhur nga Gjermania në Tiranë për të qenë pjesë e kujtimit të 25-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit shqiptar në një aktivitet të organizuar nga Shtëpia Botuese Onufri në bashkëpunim me Degën e Albanologjisë në Ludwig-Maximilians-Universität München.

Mbrëmja letrare që mbahet këtë të enjte në Hotel Tirana International, ku përveç bashkëshortes së Martin Camajt do të jetë edhe një nga organizatorët e mbrëmjes Hans Joachim Lanksch, përkthyesi i shquar i letërsisë shqipe në gjermanisht dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Martin Camajt.

Në këtë mbrëmje do të hidhet më shumë dritë për jetën dhe veprën e Martin Camajt, e cila ende është në hije në vendin e tij. Është autor antologjik në letërsinë shqipe, por nuk përfshihet në këtë antologji.

Për këtë çështje disa vite më parë Hans Joachim Lanksch ka shkruar se “Më 1996 në Tiranë u botue nji pjesë e madhe e veprës së tij letrare në nji botim të kujdesshëm e serioz. Megjithatë, botimi i pjesës së mirë të veprës letrare të Camajt duket se mbeti pa jehonë të fortë, ashtu si dhe botimet jo të shumta të përkthimeve në gjuhë të hueja.

Poezia e Martin Camajt nuk e pushtonte terrenin e antologjive ku, fjala vjen, vargjet e Ismail Kadaresë dhe Ali Podrimjes zënë shumë mâ shumë vend sesa vjershat e Martin Camajt. Në veprat linguistike vazhdoi heshtja për emnin e albanologut Camaj, me ndonji përjashtim të rrallë siç âsht, bie fjala, “Dialektologjia” e Jorgji Gjinarit dhe Gjovalin Shkurtajt”.

Ndërsa më tej Lanksch thekson arsyet e mënjanimit të këti autori të shquar “Gazetaria dhe publiku lexues ishin të mësuem me ushqim letrar që kapërdihet mâ kollaj dhe jo me poezi sikurse âsht ajo e Camajt – apo e Zef Zorbës a Primo Shllakut – që thotë shumë sepse flet pak.

Gjuha e Martin Camajt mund të jetë nji si pengesë tjetër në perceptimin e veprës së tij e cila nga shumëkush apostrofohet si ikonë e lashtë dhe e vyer, por njihet bukur pak….”. 

[gallery]21382[/gallery]

Një udhëtim njohës në krijimtarinë e Martin Camaj 
Martin Camaj ndërroi jetë 25 vjet më parë në Mynhen të Gjermanisë. Për fat të keq si shumë autorë shqiptarë, të gjallë apo të vdekur, Martin Camaj edhe pse e kishte marrë atdheun me vete në zemër njihej fare pak në Shqipëri. Madje as që i përmendej emri, ndërsa gëzonte nam të madh në Itali në Gjermani, në të gjallë.

Pas rënies së diktaturës u thyen muret e izolimit të Shqipërisë nga bota dhe veprat e Camaj të shkruara në mërgim iu kthyen lexuesit shqiptar. Pjesa më e madhe e tij është botuar nga “Onufri”. 

Tashmw lexuesi shqiptar e njeh mirë veprimtarinë e shumanshme kulturore, artistike e shkencore të Martin Camajt, por veprës së tij, që mbush boshllëkun e historishkrimit të letërsisë moderne pas Migjenit në letërsinë shqipe ende nuk i është bërë një zbërthim shterues.

Martin Camaj u arratis nga Shqipëria në vitin 1948, duke marrë me vete mbresat dhe kujtimet e pashlyeshme të vendlindjes, rrënjët e atdheut të tij i thelloi në krijimtari, sa dhe vetë bashkëshortja e tij gjermane, Erika, një grua e ëmbël dhe e dashur, me profesion mjeke, u lidh shpirtërisht me Shqipërinë.

Veprat e para të Camajt ku shfaqi talentin e veçantë të tij ishin "Një fyell ndër male", botuar në Prishtinë më 1953. Pas këtij vëllimi me poezi, Martin Camaj botoi "Kënga e vërrikut", më 1954 në Prishtinë; "Djella" (roman lirik bashkë me disa poezi - më 1958, në Romë); "Legjenda" (poezi, më 1964; "Lirika mes dy motesh" (poezi, botuar në Mynhen më 1967); "Rrathë" 1978; "Njeriu me vete e me të tjerë" 1978; "Dranja" (madrigal, më 1981); "Shkundullima" (pesë proza dhe një dramë, botuar po aty, më 1981; "Karpa" (roman, 1984), etj.

Përveç këtyre veprave, Martin Camaj ka botuar mjaft shkrime kritike, ese e studime nëpër revista të ndryshme, si për shembull: "Zjarri", "Shejzat", "Albania", "Jeta e re", "Südost Forschungen", etj. Vepra e Martin Camaj e sidomos poezia e tij njihet për plot motive, shëmbëlltyra e tipare natyraliste nga malësitë e Shqipërisë Veriore, ku spikasin shprehitë e traditës shkodrane. 

Martin Camaj edhe pse nuk u lidh dot me lexuesit shqiptarë për arsye të diktaturës ka mbajtur lidhur urat me poetët më të mirë e të shquar të shqipes ku i kushton poezi edhe Ndre Mjedës.

Ai frymëzohet nga metrika magjike e Mjedës, por poezitë e tij janë më të kursyera ne fjalë e të pasuara me imazhe e ngjyresa karakteristike të vargut.. Pas disa vitesh qëndrim në Gjermani në vitin 1957 Camaj u vendos në Romë, ku poezia e tij u ndikua nga rryma hermetike e poetit italian Ungareti, si dhe nga narrativa lirike e Mondales.

E megjithatë artin Camaj i ruajti veçoritë kombëtare, pa u zvetnuar nga ndikimet e huaja.

Ndjenjat dhe mendimet që i gëlonin përbrenda, malli për tokën shqiptare, janë gjithmonë brenda metaforave hermetike të tij, shpesh me kode të drejtpërdrejta të miteve e legjendave që njihen vetëm në tokën e tij.

Në veprat e shkruara shqip të Martin Camajt zotëron një gegërishte veriore me shumë vlerë si kujtesë të dialektit të hershëm të pasura me lëvrime të reja gjuhësore.

Martin Camaj ka dhënë kontribut edhe në gjuhësi. Ai vlerësohet nga kritika dhe lexuesi si Mjeshtër i fjalës në prozë dhe në poezi. Por ende në shkollat e letërisë shqipe nuk njihen përmasat e gjera të krijimtarisë së këtij shkrimtari si romancier e dramaturg. 

Roman i tij i jashtëzakonshëm “Rrathë” doli në dritë pas një pune 15-vjeçare të autorit. I habitshëm sesi ai nga larg pa e parë dhe prekur Shqipërinë ka depërtuar dhe ka zbërthyer dukuritë e jetës shqiptare.

Botuesi i veprës së plotë të Martin Camaj në Shqipëri, Bujar Hudhri pohon se ende studiues të letërsisë nuk e njohin mirë krijimtarinë e plotë të Marrtin Camaj e cila vijon me punën studimore rreth çështjeve të gjuhësisë, punë që ka filluar gjatë viteve ‘60 kur ai jetonte në Romë, ku ai zhvilloi një veprimtari të dendur, sidomos si kryeredaktor i revistës "Shejzat".

Ndërsa studiuesi i veprës së Martin Camjat, Bardhyl Demiraj rrëfen se “Camaj solli një ndihmesë të vyer me studimin e historikut të shqipes nëpërmjet disertacionit përkushtuar Gjon Buzukut, si dhe nëpërmjet zbërthimit të veprës "Cuneus prophetarum" të Bogdanit. Peshë të veçantë kanë studimet dialektologjike të bëra nga Camaj me metodën strukturale nëpër bashkësitë arbëreshe”.

Është një krijimtari me vlerë edhe ne shkencat albanologjike. Në këtë krijimatrai përfshihen monografia "La parlata albanese di Greci in provincia di Avellino" (botuar në Firence më 1961); "Die albanische Mundart von Falconara Albanese in der Provinz Cosenza" (botuar në Mynhen më 1977) dhjetëra përshkrime të krijimeve dialektore italo-shqiptare, ndër të cilat po veçojmë: "Zur Albanischen Mundart von Barile in der Provinz Potenza" (botuar në Mynhen më 1971), "Per una tipologia dell'arberesh" (botuar në Palermo më 1982), etj.

Nga mesi i viteve '60, Martin Camaj shkon të jetojë sërish në Mynhen, ku u punësua si mësimdhënës universitar i gjuhës shqipe dhe aty botoi librin "Lehrbuch der Albanischen" si dhe monografinë "Albanische Wortbildung", me një përmbajtej inetrsante për fjalëformimin e shqipes, e cila merret me çështjet e ndërlikuara të trajtave dhe etimologjive shqipe.

Ai ka botuar edhe librin "Albanian Grammar" rreth strukturës gramatikore të shqipes në tri krijimet e saj, d.m.th në gegërisht, toskërisht dhe në arbëreshe. Kjo vepër përmban pjesë të zgjedhura nga Buzuku e Matrënga, Budi e Bogdani, Variboba e De Rada, Hasan Zyko Kamberi e Naim Frashëri, Skiroi e Mjeda, Fishta e Konica, Asdreni e Fan Noli, Koliqi e Migjeni, Xoxa e Gajtani. 

Martin Camaj ka sjellë një ndihmesë të madhe edhe në rrafshin e studimeve të folklorit, ku ai bëri një punë të jashtëzakonshme si docent i Albanologjisë në Universitetin e Mynhenit, e më vonë si shef katedre.

martin camaj

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Krujë/ Riaktivizohet zjarri në lagjen Boje! Zjarrfikësit në vendngjarje, u gjetën 50 vatra të qëllimshme në zonë

Krujë/ Riaktivizohet zjarri në lagjen Boje! Zjarrfikësit në vendngjarje, u gjetën 50 vatra të qëllimshme në zonë