Tiranë, hapet edicioni i VIII i
Panairit “Work &Study”

Tiranë, hapet edicioni i VIII i<br />Panairit “Work &Study”
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve, si tre partnere të qëndrueshme në fushën e arsimit dhe punësimit, çelën sot në ambientet e Pallatit të Kongreseve edicionin e VIII të Panairit “Work & Study”.
 
Në këtë panair marrin pjesë mbi 40 kompani, mbi 20 universitete dhe institucione të ndryshme, të cilat ofrojnë mbi 4000 vende të lira pune.
 
Në hapjen e panairit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e vlerësoi atë si një mundësi shumë e mirë për të shpalosur ofertën më të mirë të punësimit dhe studimit, si dhe njoftoi se ndryshe nga edicionet e tjera, Bashkia e Tiranës ka stendën e vet si një nga punëdhënësit kryesorë në qytet.
 
“Sot kemi 60 vende pune aktive vetëm nga Bashkia e Tiranës dhe rreth 100 të tjera nga agjencitë tona në varësi, duke filluar nga Ujësjellës-Kanalizimet apo Tirana Parking e kompani të tjera të qytetit”, tha kryebashkiaku Veliaj.
 
Veç vendeve të punës që ofron si institucion dhe ndërmarrjet e varësisë, Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ofron edhe një mundësi shumë të mirë për një numër të caktuar studentësh që të ndjekin pranë saj praktikat e punës dhe për t’u përgatitur për sfidat e tregut të punës.
 
“Kemi gjithashtu disa mundësi për ata që duan të kryejnë praktikën pranë Bashkisë së Tiranës, në një nga ekipet tona të profesionistëve, sidomos për ata që ndjekin arkitekturën, inxhinierinë, urbanistikën, për të gjithë ata që merren me çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e qytetit apo të projekteve të mëdha inxhinierike, si ato që do të hapim shumë shpejt”, shtoi ai.
 
Kryebashkiaku theksoi se një tjetër mundësi që ofron Bashkia e Tiranës është edhe ajo që ka të bëjë me mbështetjen financiare e të gjithë atyre të rinjve që kanë ide dhe iniciativa sipërmarrje.
 
“Ata që janë sipërmarrës ose kanë shpirtin e sipërmarrjes dhe janë të rinj, duan të fillojnë biznesin e tyre, pasi janë trajnuar apo kanë aftësitë dhe arsimin profesional, i ndihmojmë si me grante ashtu edhe me kredi. Kemi grante për sipërmarrësit e rinj deri në njëfarë shume. Nëse shuma është më e madhe, kemi edhe një skemë të mikrokredive që quhet “Crimson Fund” ku Bashkia e Tiranës është aksionere në një fond prej 4 milionë dollarësh për të financuar idetë e reja”, nënvizoi Veliaj.
 
Ai u shpreh i kënaqur për rëndësinë që ka marrë në këto vite arsimi profesional, si një nga rrugët më të mira drejt një punësimi të sigurt. Ndaj, u bëri thirrje të gjithë prindërve që t’i orientojnë fëmijët e tyre drejt arsimit profesional.
 
 “Beteja për arsimin profesional ka filluar mbarë, por nuk e kemi fituar ende. Ende nuk jemi në situatën 50 me 50-të midis arsimit profesional dhe arsimit të përgjithshëm, por trendi është shumë pozitiv. Kam një apel për të gjithë prindërit: Ju lutem, inkurajoni fëmijët tuaj të marrë një vendimmarrje që e çon drejt arsimit profesional, ku të fitojë një zanat. Një zanat, siç themi shqip, “nuk të lë kurrë pa bukë”. Sot në qytetin e Tiranës kemi hapur 105-së kantiere pune, ku punojnë mbi 10.000 vetë, e vetëm te Pazari i Ri janë punësuar 1007 vetë”, tha Veliaj.
 
WORK & STUDY është kthyer tashmë në traditë, një institucion dhe domosdoshmëri për përshtatjen e burimeve njerëzore. Ky panair është një mundësi ku institucionet dhe sipërmarrësit ofrojnë vende pune dhe bursa studimi për të përmirësuar zhvillimin profesional dhe orientimin e të rinjve drejt tregut të punës.
 
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët