TIRANE- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për dy ish-kryeinspektorë të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, pasi akuzohen për shpërdorim detyre. Gjatë auditimit të realizuar tek INUK për periudhën 2010-2012, KLSH ka konstratuar një sërë shkeljesh.
 
Si pasojë, KLSH ka kallëzuar në Prokurori dy ish-kryeinspektorë të këtij institucione të cilët e kanë drejtuar atë në vitet 2010-2012, dhe akuzohet për shpërdorim detyre për:
 
-Moszbatim të ligjit në evidentimin, pengimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, si dhe mosadministrimin e vlerave materiale (automjetet e karburant) sipas kërkesave ligjore.
 
- Moszbatim të afateve ligjore në procedurat për vjeljen e gjobave me vlerë 99,653 mijë lekë, në kundërshtim me ligjin nr. 10279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative”, ligjin nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit” i ndryshuar dhe VKM nr. 862, datë 5.12.2007 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga inspektorati ndërtimor urbanistik kombëtar e ai vendor” .
 
- Mosevidentim me procesverbale ekzekutimi të vendimeve të prishjes së objekteve pa leje ndërtimi dhe për mos evidentimin e shpenzimeve për prishjen e objekteve në ngarkim të subjektit kundërvajtës në 136 raste, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, i ndryshuar, me ligjin nr. 10323 datë 23.9.2010, neni 5, germa “ë” dhe VKM nr. 862, datë 5.12.2007 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga inspektorati ndërtimor e urbanistik kombëtar e ai vendor”, pika 14.
 
- Veprime dhe mosveprime e kryera në kundërshtim me ligjin nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për Inspektimin e Ndërtimit” i ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij për 11 raste të ankesave nga qytetarë të ndryshëm.
 
- Mosndjekjen e procedurave ligjore në rastet e sekuestrimit të mjeteve dhe makinerive të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e shfrytëzimit të materialeve inerte lumore, vendime sekuestrimi dhe nuk ka dokumentuar me procesverbal ose me fletë dalje dorëzimin e këtyre mjeteve, subjektit që i janë sekuestruar.
 
- Mosndjekjen e procedurave ligjore pas marrjes së vendimeve për masën e “Pezullimit të punimeve ndërtimore” ndaj subjekteve të konstatuara me shkelje ligjore në 26 raste, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit” i ndryshuar, si dhe VKM nr. 862 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga inspektorati ndërtimor e urbanistik kombëtar e ai vendor” .
 
- Sekuestrimi i mjeteve, nuk është shoqëruar me masa të tjera administrative si heqje e licencës profesionale e personale të shoqërisë pranë organit përkatës, në kundërshtim me ligjin nr. 10279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative” dhe ligjin nr. 8093, datë 21.03.1996 “Për rezervat ujore” i ndryshuar. - Konsumim të karburantit më tepër se normativat e konsumit për 8065 litra karburant me vlerë 1,346,855 lekë dëm ekonomik dhe nuk ka asnjë dokumentacion ekonomiko financiar mbi përdorimin e tij.
 
- Dhënien e autorizimeve për daljet e karburantit nga magazina për punonjës që nuk kanë patur në përdorim mjetet e institucionit, si dhe mosndjekjen e konsumit të karburantit për distancat ndërmjet qyteteve, në kundërshtim urdhrin e MPPTT nr. 125, datë 26.12.2011 të “Për distancat ndërmjet qyteteve”.
 
Sipas KLSH, materialet i janë përcjellë Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme, ndërsa bëhet me dije se i është kërkuar Kryeinspektorit të INUK fillimi i procedurave administrative e ligjore për dhënien e masave disiplinore largim nga detyra për 7 punonjës të këtij institucioni.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)