TIRANË - Goditet një rast i mashtrimit përmes bursave fiktive në kryeqytet.
Operacioni policor i koduar “Fake Promise” ka çuar në arrestimin e pronarit dhe administratorit të një call centeri në rrugën e Dibrës, i dyshuar për mashtrim të shtetasve të huaj përmes investimeve në bursa fiktive.
Shtetasit Olisjo Planaj dhe Erdi Muça janë arrestuar në flagrancë, ndërsa tre operatorë janë proceduar në gjendje të lirë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 5 njësi kompjuterike, 7 aparate celulare dhe lista me të dhëna të shtetasve të huaj të mashtruar. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.
'Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe të mirëorganizuar finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fake Promise”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– O. P., 22 vjeç, banues në Tiranë, pronari i një subjekti call center;
– E. M., 25 vjeç, administratori i një subjekti call center.Në vijim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë shtetaset J.B, 36 vjeçe, S.Gj, 27 vjeçe, dhe Xh.M, 30 vjeçe, të punësuar si operatore në këtë subjekt.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E.M, 25 vjeç, administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin E.M., në rrugën e Dibrës. Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishin të punësuar si operatorë shtetaset e lartpërmendura, të cilët, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, dhe u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në faqen “Coin Tracking” faqe kjo ku gjendeshin fondet që ishin rekuperuar. .
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 5 njësi kompjuterike, 7 aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.', njofton policia.