TIRANE- Tregtimi i mishit në kushte ilegale dhe jashtë standardeve higjeno-sanitare do të marrë fund nëpërmjet një aksioni të mbylljes së pikave që e tregtojnë këtë produkt në këtë mënyrë. Aksioni ka filluar sot në pikat që tregtojnë në zonën e “Pazarit të ri” dhe së shpejti do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

"Sot është dita e parë e një aksioni i cili do të vazhdojë dhe në ditët në vijim, derisa të standardizohet dhe legalizohet një biznes i cili është kthyer shumë shqetësues për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe sidomos në qarkun e Tiranës ku problematika është akoma edhe më e madhe, siç është biznesi i shitjes së mishit jashtë standardeve higjeno-sanitare”, tha Besjan Pesha, Sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës së Tiranës.

Drejtori i Përgjithshëm i AKU, Afrim Bakaj, shpjegon pasojat që ka tek konsumatori tregtimi i mishit në kushte tërësisht jashtë standardeve higjeno-sanitare.

"Një nga artikujt që është shumë i rrezikshëm për jetën e qytetarëve është mishi, i cili sjell pasoja shumë shumë të këqija për arsye se nga mishi mund të marrim, infeksione, brucelozë. Vetëm po të shohim këto qepena, duhet të themi se është ligj që nuk lejohet të këtë qepena. Mishi duhet të shikohet me xham, duhet të jetë i hapur”, tha Bakaj.
Aksioni është mbështetur nga INUK që do të inspektojë dhe mbyllë të gjitha pikat që tregtojnë në mënyrë të paligjshme.

I rëndësishëm në këtë aksion është edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të denoncuar rastet dhe për të mos blerë mish në këto pika.

Redaksia Online
(e.s/a.ç/shqiptarja.com)