Këshilltari i PS-së, Aldrin Dalipi ka deklaruar se bashkia e Tiranës, falë një punë 7-vjeçare, ka hartuar një plan vendor urbanistik, që është miratuar nga KRRT e Bashkisë, nga këshilli bashkiak dhe ndodhet edhe në tavolinën e Berishës. Për të janë harxhuar 2 milionë euro të dhëna nga qeveria hollandeze, ndaj ai ka kërkuar nga zoti Basha arsyen se përse po hartohet një plan i ri. Nëse doni të harxhoni para të tjera për të njëjtën punë, ky është shpërdorim detyre, - ka thënë Dalipi, nëse do të përdorësh të njëjtin plan dhe t’i ndërrosh afatet, kjo është gjysma e së keqes”.
Basha i është përgjigjur se Tirana ligjërisht nuk ka plan urbanistik, pasi ai nuk është prezantuar në KRRTRSH, as nuk është paraqitur e as miratuar. Plani zviceran nuk arriti objektivin e vet. Ka grumbulluar disa të dhëna të vlefshme, që janë përfshirë në planin e ri.
Këshilltarët e PS-së kanë kërkuar riformulim të këtij projektvendimi: duke e emërtuar rishikim të planit urbanistik dhe jo hartim të planit urbanistik të Tiranës.
Ndërkohë që debate të forta ka pasur edhe për pikën e dytë të rendit të këshillit bashkiak, ai për punimet në sheshin “Skënderbe”, pasi këshilltarët e opozitës e kanë quajtur flagrante ndryshimin e projektit të sheshit “Skënderbej” dhe nuk kanë pranuar të japin votën për miratimin e këtij projekti. Diskutimi vazhdon ende në këshill bashkiak për pikën e dytë, ndërkohë që janë 7 pika për t’u diskutuar.
Projektet kanë të bëjnë më zgjerimin e transportit publik, kursimin e parave të qytetarëve, investim në art dhe kulturë, fuqizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Në një njoftim të djeshëm të Bashkisë përmenden, krijimi i një linje të re autobusi e cila do të shtrihet nga Qendra deri në Qytetin Studenti. Projekti i dytë ka të bëjë me zyrtarizmin e procesit të hartimit të Planit Urbanistik të qytetit.
Projekti tjetër ka të bëjë me ndërtimin e Xhamisë së re.
Projekt tjetër është ai që ka të bëjë me fuqizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, nga spekulimet dhe mashtrimet. Një tjetër projekt është ai për rehabilitimin e qendrës së qytetit, pasi qendra është më shumë se sa hapësira fizike që ajo zë, është ndërlidhëse e lagjeve të ndryshme dhe është projektuar për të ndihmuar qytetarët, në jetën e tyre të përditshme.
Projekt tjetër që i propozohet Këshillit, është edhe ai që ka të bëjë me krijimin e Bordit për Artin dhe Kulturën, që do të ketë si detyrë miratimin e fondeve në këtë fushë, çka do të sjellë përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet. Ndërkaq që në fillim të tij Kryetari i Këshilltarëve socialist, Aldrin Dalipi u shpreh se para çdo mbledhje është e domosdoshme mbledhja e grupeve përfaqësues në Këshill.