TIRANE- Studentëve që strehohen në konviketet e qytetit “Studenti” këtë  vit i’u është dashur të paguajnë 50 mijë lek më tepër dhe nuk ka asnjë shpjegim për këtë rritje çmimi, ndërkohë që kushtet janë totalisht të njejta me ato të një viti më parë.

Kapacitetit i ambjenteve të qytetit “Studenti” arrin në rreth 6000 persona të cilët këtë vit kanë paguar tarifën prej 450 mijë lekësh të vjetra, pra rreth 12 % më shumë se vitet e kaluara. Gjatë viteve të shkuara ata kanë paguar 400 mijë lek të vjetra për strehimin e tyre përgjatë një viti akademik, dhe këtë vit janë përballur me çmimin  e ri.

Dhe realisht nuk mund të konsiderohet një rrije e papërfillshme duke qenë se arrin në 12.5% më tepër.
Çmimi i “kripur” nuk është shoqëruar me përmirësim të kushteve pasi studentët që jetojnë aty pohojnë se problemet janë të njejta me ato të një viti më parë dhe më gjatë. Kalvari i problematikave i ka shoqëruar këto studentë nga viti në vit, dhe as këtë herë nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ata shprehen se nuk kanë asnjë lloji informacioni se ku shkojnë paratë që ata paguajnë çdo vit kur studentët vijojnë të jetojnë në kushtet më minimale. Kjo rritje e çmimit sipas tyre është e pajustifikueshme dhe e padrejtë pasi ata nuk e dinë ku përfundojnë paratë e tyre.   

Energjia: përdoret apo shpërdorohet?!
Megjithëse në të gjitha bujtinat është instaluar sistemi i ngrohjes me kaldaja, këto të fundit ndizen vetëm për zyrat e punonjësve të administratës dhe asnjëherë për studentët. Në këmbim studentët përdorin dhe “kallin” bujtinat me rezistenca elektrike të cilat i përdorin për ngrohje dhe për gatim, duke rrezikuar kështu edhe ambjentet e bujtinës në rastet e ndonjë shkëndije elektrike. Për përdorimin e këtyre rezistencave studentët kanë marrë miratimin e drejtuesve dhe punonjësve të qytetit “Studenti” të cilët e kanë bërë tashmë të lejueshme përdorimin e tyre. Përsa i’u përket kaldajave, për studentët ato nuk ndizën edhe në ditët më të ftohta të dimrit, ndërsa një nga punonjëset e administratës shprehet se “ janë dhomat e vogla  dhe ngrohen shpejt, nuk është shumë ftohtë”, ndërkohë që në zyrën e saj kaldaja qëndron e hapur përgjatë gjithë ditëve të dimrit.

Studentët edhe pse të detyruar të qëndrojnë aty vazhdojnë të jenë të pakënaqur me kushtet që ju ofrojnë bujtinat, duke i shtuar kësaj edhe rritjen e tarifës vjtore, pakënaqësia këtë vit është e dyfishtë. Panorama e qytetit “Studenti” është krejtësisht ndryshe nga ajo që kanë pritur të gjejnë rreth 1800 studentët e akomoduar këtë vit për herë të parë.
A.L është studente e vitit të dytë dhe studion në degën gjuhë-letëri, ajo shprehet se  dhomat janë me lagështirë dhe plus kësaj asaj i duhet të zbresë nga kati i tretë në të parin për të bërë një dush, pasi në bujtinën ku ajo jeton të gjitha dushet janë në katin e parë. Të shumta janë edhe këtë vit problemet me të cilat përballen banorët e qytetit “Studenti”, të cilët pas mesnate janë të detyruar të durojnë zhurmat e shumta që vijnë nga lokalet të cilat organizojnë herë pas here festa e party.  

Studentët: S’e dimë ku shkojnë parat tona
 
Problemeve të shumta të bujtinave në Qytetin Studenti këtë vit i është shtuar edhe rritja e çmimit të tarifës. Studentët në mungesë të përmirësimit të kushteve, shprehen se nuk e dinë se ku përfundojnë paratë e tyre dhe për çfarë përdoren. Në dy vitet e fundit pagesa për bujtinat ka qenë 400 mijë lek të vjetra ndërsa këtë vit është bërë 450 mijë lek, deklarojnë studentët. Kjo ka rritur pakënaqësinë e studentëve të cilët jetojnë në kushte jo të favorshme dhe përballen çdo ditë me probleme të ndryshme ku ndër më të rëndin ata cilësojnë atë të ngrohjes dhe mosndezjen e kaldajave. 
 

 Shkrimi u publikua sot (08.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)