Tiranë, plagoset me armë 54-vjeçari
qëllohet sapo del nga banesa

Tiranë, plagoset me armë 54-vjeçari<br />qëllohet sapo del nga banesa
 TIRANE-  Sapo ka dalë në derën e shtëpisë, një 54-vjeçar ka rënë pre e një atentati, që dyshohet se ka ardhur për hakmarrje. Bedri Dulla ka mbetur i plagosur me një plumb në bark, ndërkohë që policia ka shoqëruar një të dyshuar për këtë krim. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, kur Dulla ishte duke dalë prej banesës së tij. Mësohet se atentatori ka qëlluar në drejtim të Dullës disa herë, por vetëm një plumb, i shkaktoi plagë në trup.

Motivi i plagosjes dyshohet se ka të bëjë me një konflikt që Bedri Dulla ka pasur para 6 muajsh, duke plagosur një person. Policia, në bazë të dëshmisë së dhënë nga 54-vjeçari, ka bërë të mundur edhe shoqërimin e një të dyshuari për krimin. Bedri Dulla nuk e ka pritur hakmarrjen për plagosjen që thuhet prej policisë që ka bërë muaj më parë. Ai ka dalë nga shtëpia për çështjet e tij personale, kur një njeri i pamaskuar i kishte bërë pritë.

Thuhet se ekzekutori ka pasur dijeni për të gjitha lëvizjet e Dullës, banesën e tij dhe momentin kur ai hynte dhe dilte nga shtëpia. Sapo atentatori ka parë 54-vjeçarin të dilte nga banesa, i është afruar me armë zjarri në dorë për ta qëlluar disa herë, pa i thënë asnjë fjalë. I plagosuri ka marrë një plumb në bark. Ai është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak nga familjarët e tij.

Mjekët nuk kanë humbur kohë, por kanë bërë të mundur ndërhyrjen kirurgjikale, për t’i shpëtuar jetën. Ndonëse prej plagosjes, 54-vjeçari mund të ketë pasoja, mjekët bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pa humbur kohë, grupi hetimor ka shkuar në spital, për të marrë në pyetje të plagosurin, i cili pretendon se ka qenë në gjendje që të bëjë një përshkrim të autorit të krimit.

Pas përshkrimit të karakteristikave policia ka shkuar në banesën e të dyshuarit për plagosjen e Bedri Dullës, duke shoqëruar anëtarët e familjes. Sipas policisë, dyshohet se 54-vjeçari është plagosur nga djali i një personi, që i dëmtuari i djeshëm mendohet se ka plagosur para 6 muajsh. Megjithatë, pavarësisht se thuhet se policia ka shoqëruar një të dyshuar, deri në orët e vona të natës nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për ndalimin e tij.

Në lidhje me të shoqëruarin, policia tha se do bëjë ballafaqimin me të plagosurin, meqë ky i fundit ka deklaruar se atentatori ishte pa maskë dhe ka fiksuar disa karakteristika të tij. Nga ana tjetër, policia tha se ka ushtruar edhe kontroll në banesën e të shoqëruarit, por nuk ka mundur të gjejë ndonjë armë, apo sende të tjera të kundërligjshme.

Gjithashtu, grupi hetimor ka marrë të dhëna të tjera plotësuese nga duart e të shoqëruarit për të vërtetuar nëse ai ka bërë qitje gjatë orëve të fundit, me qëllim që ta lidhin atë me ngjarjen, pasi vetë nuk ka pranuar asgjë për krimin në fjalë.

Shkrimi u publikua sot (15.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Begaj pret ministrin e Mjedisit të Maqedonisë së Veriut: Thellim i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve

Begaj pret ministrin e Mjedisit të Maqedonisë së Veriut: Thellim i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve