Tiranë, Prindër e mësues: Po na
mbyllin shkollën ‘Hasan Tahsin’

Tiranë, Prindër e mësues: Po na<br />mbyllin shkollën ‘Hasan Tahsin’
TIRANE- Ndonëse regjistrimi për nxënësit që do të ndjekin këtë vit sistemin arsimor parauniversitar vazhdon, drejtori i shkollës “Hasan Tahsin” (foto) në Tiranë, dy ditë më parë, ka dhënë urdhër që mësuesit e kësaj shkolle të mos pranojnë nxënës në klasën e parë.

Pretendimi, siç na thonë prindërit dhe mësuesit e kësaj shkolle, lidhet me faktin se deri më tani janë regjistruar pak nxënës dhe nuk mund të hapet as një klasë.

“Madje na kanë thënë që të marrim në telefon prindërit që i kanë regjistruar deri më tani dhe t’u themi që të vijnë e të tërheqin certifikatat e regjistrimit”, - na thonë prindër dhe mësues që janë mbledhur në hollin e kësaj shkolle.

Më tej ata na thonë se gjithçka është e qëllimshme. “Fillimisht u tha se nuk do të ketë regjistrime për në klasën e parë, ashtu siç nuk pati as dy vitet e kaluara, pastaj u hapën regjistrimet, ndërsa tani, pak ditë para se të fillojë shkolla, na thonë mos regjistroni më se nuk ka nxënës mjaftueshëm për të hap as një klasë të parë, ndërsa mësuesen që duhet të japë mësim në klasën e parë e kanë njoftuar që të hënën të paraqitet në një shkollë tjetër.

Po si ka mundësi që dy shkollat 9-vjeçare, me të cilat nga ndan vetëm një rrugicë, shkolla “E Kuqe” dhe ajo “Ali Demi”, kanë disa paralele të klasave të para me nga 40-45 nxënës, pra janë të mbipopulluara, ndërsa për shkollën tonë nuk paska fëmijë mjaftueshëm për t’u regjistruar? Gjithçka bëhet me qëllim që të demoralizohen prindërit dhe të tërheqin fëmijët nga kjo shkollë. Por ne nuk do ta bëjmë një gjë të tillë”, - na thonë prindërit e fëmijëve të kësaj shkolle.

Më tej, madje ata thonë se kanë takuar drejtoreshën e arsimit të Tiranës, Arjana Bekteshi, dhe i kanë kërkuar llogari se përse po ndiqet një politikë e tillë ndaj kësaj shkolle. “Dhe e di si na tha? Meqë e doni patjetër këtë shkollë, mbajeni! Por dijeni se do ua kthej në shkollë fshati në mes të Tiranës...Dhe po ia arrin qëllimit”, - na thonë prindërit, që prej tre vitesh kanë zhvilluar dhjetra takime në drejtorinë arsimore të Tiranës. Ata tregojnë se kishin nisur vetë një fushatë informimi për të gjithë banorët e zonës që të regjistronin fëmijët. “Kishim vendosur shpallje në të gjithë lagjen që këtë vit janë hapur regjistrimet për klasën e parë. Kishim vënë edhe një ekran afër një lokali, në cep të rrugës ku shfaqnim pamje të shkollës dhe informonim se kanë nisur regjistrimet.

shkolla hasan tahsin
(Ne foto: Prindër dje duke debatuar me mësuesit e Hasan Tahsin për klasat e para)

Papritur ekrani u fik mbrëmë dhe njoftimet e ngjitura në shtylla u grisën. Kam menduar se këto gjëra ndodhnin vetëm në kohën e Petro Ninit Luarasit, kur një mësues kërcënohej se përse shkon në shkollë. Fatkeqësisht po ndodhin edhe tani”, - na thonë prindërit dhe mësuesit e kësaj shkolle. Drejtoria Arsimore e Tiranës që prej tre vitesh ka nisur braktisjen e shkollës “Hasan Tahsin” në kryeqytet. Duke pasur frikë nga reagimi i ashpër i prindërve, drejtoria e arsimit në Tiranë, në të vërtetë nuk deklaron se kjo shkollë do të mbyllet, por ama ka ndërmarrë politika të tilla, që kanë bërë që prej kësaj shkolle të largohen një pjesë e madhe e nxënësve.

Shkrimi u publikua sot(13.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com(print)

Redaksia online
(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet miratuar rezoluta anti-korrupsion e propozuar nga PS?



×

Lajmi i fundit

Kavajë, 66 vjeçari rus gjendet i vdekur në apartamentin e tij në Golem

Kavajë, 66 vjeçari rus gjendet i vdekur në apartamentin e tij në Golem