Tiranë, promovohet "Postbllok"
vepra kundër sundimit totalita

Tiranë, promovohet vepra kundër sundimit totalita">
TIRANE- “Postblloku" vepra në instalacion e ndërtuar nga analisti Fatos Lubonja, ish-i burgosur politik dhe artisti Ardian Isufi, një monument për të kujtuar vuajtjet në diktaturë, u inaugurua sot përbri Bulevardit  “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Vepra e artit pamor e shprehur në instalacion është vendosur pranë shtatores së Ismail Qemalit, tek vilat e ish-Bllokut Komunist, në lulishte në të djathtë të ish-Vilës së Mehmet Shehut.

Ambasadorja gjermane, Carola Muller-Holtkemper, falenderoi Fatos Lubonjën e Ardian Isufin që “kombinuan 3 elemetentet e trashëgimnisë komuniste në të dyja vendet”: Pjesë nga muri i Berlinit, dhuratë e ardhur nga Berlini, bunkeri dhe disa kolona nga burgu famëkeq i Spaçit.
 
"“Është kënaqësi të shohësh si shqiptarët e gjermanët kërkojnë përvojat dhe të përballen me të kaluarën në mënyrë që të mos përsëritet më.  Gjermania është vendi i vetëm themelues i BE që ndan me Shqipërinë të shkuarën totalitare. Procesi i menaxhimit të së kaluarës është një proces i mundimshëm, i vështirë dhe me pengesa të shumta ndaj është mirë që me shqiptarët të shkëmbejmë përvoja që padrejtësitë e së shkuarës të mos përsëriten më” - tha Holtkemper duke e quajtuar veprën “Një monument gjermano- shqiptar kundër sundimit totalitar”

Nga ana e tij kryetari i bashkisë së Tiranës kërkoi ndjesë për mungesën e një momunenti që kujton vuajtjet e regjimit komunist. “Instaliacioni përfaqëson një gjest të munguar përkujtimor dhe refleksioni. Duke ju kujtuar ndjesë për mungesën e një shenje të tillë sidomos dekadën e fundit”- tha Lulzim Basha

Fatos Lubonja ia dedikon veprën të gjithë atyre që nuk arritën dot të kapërcenin kohën e dikaturës dhe të jetojnë në këtë kohë.

“Është kujtim për ata që muk mundën të kapërcejnë kohën e diktaturës dhe të jetojnë këtë kohë, një pjesë prej tyre ndoshta ishin më të mirë.”

Ardian Isufi e vlerësoi një ndërhyrje artistike e artit postmodern. "Për herë të parë në qytet ka një tis bashkëkohor ku publiku është jo vetëm spektator por hyn brenda saj ta vizitojë dhe të ketë ndjesinë e kohës së shkuar. "

Në ceremoni mbajtën fjalën edhe kryeministri Berisha e kryetarja e parlametit Jozefina Topalli.
Kryeministri vlerësoi punën e dy artistëve për krijimin e këtij memoriali duke përzgjedhur dy nga veprat më të goditura të diktaturës komuniste, bunkerin dhe burgun e Spaçit.Ndërsa sipas Fatos Lubonjës, kjo vepër i dedikohet të gjithë atyre që nuk arritën dot kapërcenin kohën e dikaturës dhe të jetojnë në këtë kohë.


LUBONJA E ISUFI PARODI ME KOMUNIZMIN
(e shkruar nga Dhurata Hamzai)


Dje kanë përfunduar punimet e veprës dhe e gjithë struktura e kompozicionit të saj. Për të bërë këtë instalacion janë vendosur tri objekte kyçe, mbi të cilat mund të ngrihet një subjekt i tërë fantazie për të parodizuar nëpërmjet perceptimit artistik regjimin komunist.  Regjimi komunist i Enver Hoxhës sundoi në Shqipëri prej 50 vjetësh, ndërsa ra vetëm në ‘91-shin, ku Shqipëria ishte edhe vendi i fundit komunist në botë pas rënies së Murit të Berlinit. Objekti i parë që të zë syri sa hyn në park është një bunker, i ndërtuar 40 vjet më parë, në zemër të ish-Bllokut, ku mendohet se aty do të strehoheshin udhëheqësit komunist, Enver Hoxha dhe të tjerët në rast lufte. Në fakt, objekti bunker është mjaft qesharak për të besuar se do të ishte mbrojtës në një luftë të pritshme.

Por artistët e kanë marrë po aq seriozisht, sa ç’merrej në atë kohë. E kanë pastruar dhe e kanë nxjerrë në dritë. Për t’i hequr grinë e zymtë kupolës së Bunkerit dhe për të mos vrarë gjelbërimin rreth e rrotull veprës, që do të ngulitet tashmë në formën e artit skulptural të parkut, Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi e kanë zbukuruar me detaje piktorike dhe e kanë sjellë në sytë e publikut bunkerin si një objekt arti.

Janë pastruar shkallët dhe tuneli në nëntokë i këtij bunkeri. Duke ecur në disa rrugica të shtruara me asfalt për rrotull instalacionit në fjalë, kalesat nga një objekt tek tjetri të çojnë tek trupat e betonit, ose armaturat mbajtëse, siç u thoshin minatorët në gjuhën e tyre disa kolonave të betonta të cilat krijojnë një urë mbajtëse të malit për të kaluar minatorët nën tokë.

Por siç dihej ata asnjëherë nuk ishin të sigurt nga shembjet e papritura të tokës. Lubonja thotë se trupat e betonit të marra nga miniera e Spaçit, janë lënë natyrale me qëllim që të ruhen vlerat muzeore. Kur i sheh këto trupa ngjajnë si fosile të një galerie si ajo e Burgut të Spaçit që gllabëroi qindra jetë minatorësh. Me tej duket objekti tjetër, ai më provokativi, Muri i Berlinit (fragment), ku nga një anë duket vetëm ngjyra gri e betonit që i përkiste ndarjes nga Lindja dhe nga tjetër, në pjesën që i përkiste Perëndimit duket faqja e ngjyrosur, pikturuar, dhe madje e ndërtuar me një mbështetëse në formë këmbe shumë më të madhe dhe më të sigurt. Me sa duket që të mos shtyhej muri nga lindorët prapa me kahe nga perëndimi.

Sigurisht këto që përshkruajmë janë pamje të vërteta, por nuk mund ta mohosh se të tria objektet bazë të instilacionit japin efkte të forta. Ato provokojnë absurdin meditativ dhe ngacmojnë vazhdimisht kujtimet dhe ndjenjat njerëzore. Muri i Berlinit është një copë e murit dhuratë, që i është bërë Bashkisë së Tiranës nga Bashkia e Berlinit. Tashmë trupat e betonit të minierës së Spaçit, bunkeri ekzistues në ish-Bllokun komunist dhe një copë e shkëputur nga Muri i Berlinit janë të sistemuara sipas konceptit artistik të Fatos Lubonjës dhe piktorit Ardian Isufi. Sot ato do të zbulohen e do të promovohen si vepra arti, ku duke biseduar me Lubonjën mësojmë se “do të ketë të ftuar edhe ish-të përndjekur politik.”

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës

Si ndikon veza për kolesterolin, diabetin dhe shëndetin e zemrës