Tiranë - Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit pas një sherri të ndodhur disa ditë më parë në mjedisin e jashtëm të një lokali në Kamëz.
I riu ka qëlluar ,me armë zjarri në ajër si shenjë kërcënimi për një nga personat e përfshirë në sherr dhe për një tjetër që tentoi të ndërhynte.
Policia gjithashtu ka nisur hetimet e pronarin e lokalit për moskallëzim të krimit, teksa në kërkim janë shpallur edhe 5 të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në konflikt.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të konfliktit të ndodhur më datë 17.04.2026, në ambientet e jashtme të lokalit të shtetasit Xh. D., kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Details”.
Si rezultat i operacionit, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. H., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se gjatë konfliktit, në të cilin janë përfshirë 6 shtetas, shtetasi A. H. ka qëlluar me armë zjarri, në ajër, për të kanosur njërin nga shtetasit e përfshirë në konflikt dhe një shtetas tjetër që ka tentuar të ndërhyjë. Nga të shtënat nuk ka patur shtetas të dëmtuar.
Po punohet për kapjen e shtetasve në kërkim R. S., R. S., F. Gj., D. D. dhe R. Gj., të cilët dyshohet se janë përfshirë në konflikt, si dhe për gjetjen e armës së zjarrit”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











