TIRANE- Një person ka qëlluar në ajër me armë zjarri automatik, duke terrorizuar banorët e zonës së Alliasit në Tiranë. Ngjarja u shënua mesditën e sotme, rreth orës 12:00, ku 41-vjeçari Gjergji Laçi në gjendje të dehur ka qëlluar në ajër për rreth 30 minuta, duke kërcënuar se do të vrasë veten dhe këdo që i del përpara.

Ankthi ka qenë i madh tek komshinjtë e familjes Laçi, pasi në oborrin e fushës përballë me shtëpinë ishin duke luajtur shumë fëmijë. Policia ka ndërhyrë duke u bërë thirrje banorëve të futen brenda banesave të tyre.

Ndërhyrja e strukturave të shërbimit elitë “Shqiponja”, si dhe forcave të komisariatit të policisë Nr. 4 bënë të mundur rrethimin e zonës përreth dhe kapjen rreth orës 12:27 minuta të shtetasit Gjergji Azbi Laçi 41 vjeç, duke shmangur një ngjarje e cila mund të kishte pasoja të rënda.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit tip automatik kallashnikov, e cila është gjetur në dyshekun e krevatit të 41-vjeçarit dhe posedohej pa leje nga ky shtetas.

Gazetari i A1 Report, Arsen Rusta i cili raportoi nga vendi i ngjarjes tha se 41-vjeçari me origjinë nga Dibra ishte në gjendje të dehur. Në momentin kur ka parë shtëpinë të rrethuar nga policia, Laçi ka kërcënuar se do të vriste veten, familjarët e tjerë, por edhe këdo që i dilte para.

Në një prononcim për A1 Report pas arrestimit të 41-vjeçarit, nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani sqaron detajet e arrestimit, duke thënë se fillimisht u bë evakuimi i zonës dhe më pas ndërhyrja për arrestimin e Gjergji Laçit.

“Fillimisht u bë evakuimi i zonës dhe më pas ndërhyrja për arrestimin e Gjergji Laçit. Është gjetur një armë zjarri e tipit automatik model 56 me dy krëhër, ndërkohë që po vazhdon kontrolli. Nuk kemi informacion nëse ka pasur konflikt me njëri-tjetrin, por ai ishte nën efektin e pijes alkoolike. Falenderoi ata që njoftuan në sallë operative”, u shpreh Breçani.

Operacioni i sotëm i policisë ka përfunduar me sukses pa të lënduar në njerëz, ndërsa i arrestuari 41-vjeçari Gjergji Laçi pritet të zbardhë ngjarjen me dëshminë e tij dhe të përballet me organet e drejtësisë, i akuzuar për "armëmbajtje pa leje" dhe “prishje të rendit dhe qetësisë publike”.

Redaksia online
(eç/sg/shqiptarja.com)