TIRANË- Me gjasë, një shkëndijë elektrike, në mesin e njërit prej kapanoneve, ishte zanafilla e flakëve masive që përpinë pa mëshirë mbrëmjen e së enjtes tregun te ish-Uzina Dinamo në Tiranë.

Mbi 100 magazina tregtarësh u pushtuan nga zjarri në pak minuta. U deshën zjarrfikëse nga Tirana, Kamza, Vora, Elbasani dhe Forcat e Armatosura, që situata të vihej në kontroll.

Mëngjesin e kësaj të premteje, gjithçka kishte mbetur ishte vetëm hiri. Tymi dhe flakët u rizgjuan sërish në mëngjes, çka kërkoi një ndërhyrje të dytë nga forcat zjarrfikëse. Rreth 10 mijë metra katror sipërfaqe janë kthyer tanimë në një gërmadhë masive hiri.

Dyshimet paraprake për shkaqet e zjarrit, vërtiten rreth një problemi të kabllove të energjisë elektrike. Një ekspertizë e plotë pritet të të japë përgjigjen.

Zbulimi i shkakut, megjithatë nuk kompenson dot humbjet e mëdha për ata që kishin lidhur jetën me aktivitetin në këtë treg, e që tani e shohin veten të zhytur në dëshpërim

“Unë kam pasur dyqanin më të vogël këtu. Vlera e mallit sa të duash mbi 200 milionë lekë, po të tjerët që kanë më shumë. Unë tregtoja çorape, geta, streçe. Vajza ime kishte dy dyqane”, thotë një tregtar.

Shpresa për dëmshpërblim është inekzistente. Asnjë prej tregtarëve nuk rezulton që ta kishte siguruar magazinën.

“Nuk na i siguronin. Kemi shkuar tek sigurimet dhe me këtë lloj ndërtimi nuk e merrnin përsipër”, thotë një tregtar tjetër.

 Dhe siç ndodh rëndom në situata të tilla, ka dhe nga ata që fajin ia hedhin autoriteteve, policisë dhe forcave zjarrfikëse.

 

“Unë jam një nga tregtarët që jam dëmtuar më shumë. Kisha thuajse gjysme kapanoni. Dy kapanonet e tjera mund të ishin shpëtuar”, tha një tjetër tregtar.

Orët e paradites nuk munguan incidentet. Policia shoqëroi një tregtar pasi goditi një përgjegjës të kapanonit me shkelm, duke e bërë përgjegjës për situatën. 

Kjo hapësirë e madhe është në pronësi të “Dinamo sh.a.”, një shoqëri aksionare e përbërë nga shumë pronarë. Të gjithë tregtarët paguanin qira për mbajtjen e mallit nëpër magazina, ku përfshiheshin produkte për shitje me shumicë, nga rrobat te kozmetikët, lodra për fëmijë, suvenire apo enë kuzhine. Nga këto biznese furnizohej, një zinxhir dyqanesh të tjera, në të gjithë vendin.

(Kliko këtu për të lexuar ekstratin e regjistrit tregtar për Dinamo Sha.a)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:07
Zjarri te tregu i ish-Uzinës Dinamo, Blushi: I qëllimshëm për kulla, padi Ramës

1767967832_ËhatsAppImage20260109at08.44.43.jpeg

Për situatën e përmbytjeve të vend dhe zjarrin masiv të tregu i ish-Uzinës Dinamo, deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi akuzon si përgjegjës Kryeministrin Edi Rama.

Blushi aludon se zjarri te tregu ishte i qëllimshëm, për t’i hapur terren ndërtimeve të reja dhe paralajmëron se do të padisë Kryeministirn Rama, si zyrtarin e vetëm, i cili jep lejet e ndërtimit për interesa të oligarkëve sipas tij të sektorit të ndërtimit.

"Pra po e paralajmëroj që sot  edhe në cilësinë e deputetit të Partisë së Lirisë, që do të ketë kallëzim penal për këdo që guxon që me djersën, me gjakun, me mundin, me sakrificat e një jete të tërë të këtyre sipërmarrësve të vegjël, të cilët nuk janë oligarkë. Të cilët në mënyrë të rregullt i kanë paguar taksat këtij shteti, kanë paguar taksat bashkisë së Tiranës, të ndërtojnë pasuri klientët e Edi Ramës, të cilët i kemi parë në fakt, nuk janë asgjë tjetër veçse grabitqare të pronave private, por sigurisht edhe të pronave publike të shqiptarëve",- tha Blushi.

Ora 14:53
FOTOT/ Gjithçka e shkrumbuar dhe e shkatërruar, çfarë la pas zjarri në tregun e ish-Uzinës Dinamo

Tregu i rrobave te ish-Uzina Dinamo në Tiranë është djegur plotësisht pas zjarrit që ra një ditë më parë.

Ajo çfarë ka mbetur janë vetëm rrënojat dhe tregu i rrobave është kthyer në shkrumb e hi.

Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike.

Ora 13:37
'Izoluam flakët, shpëtuam objektet e tjera', drejtori i Zjarrfikëses për zjarrin te tregu i ish-Uzinës DInamo: Nëse do ndërhynim brenda kapanonëve, rrezikohej jeta e punonjësve

Kreu i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlzim Goxhaj, ka treguar detaje nga operacioni për shuarjen e zjarrit që ra pasditen e djeshme në tregun e ish-Uzinës Dinamo në Tiranë.

Në një lidhje live për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV, Goxhaj bëri të ditur se forcave zjarrfikëse të Tiranës u erdhën në ndihmë edhe zjarrfikësit e Kamzës, Vorës, Elbasanit, por edhe Forcat e Armatosura.

“Ju e patë vetë edhe gjatë transmetimit. Ne me të marrë njoftimin kemi vënë në lëvizje stacionin që është më afër vendit të ngjarjes, i cili është stacioni i Kinostudios. Ka arritur në momentet e para në vendin e ngjarjes. Duke parë përmasat ka njoftuar sallën operative dhe pas kësaj janë vënë në lëvizje gjithë kapacitetet e Bashkisë Tiranë. Veç kapaciteteve të zjarrfikëses së Bashkisë Tiranë, kanë qenë edhe zjarrfikësit e Kamzës, të Vorës, më vonë na kanë ardhur në ndihmë edhe nga Elbasani, nga Forcat e Armatosura dhe nga të gjitha drejtoritë e Bashisë Tiranë që kanë lidhje me Emergjencat, kanë qenë në vendin e ngjarjes”, tha mes të tjerash Goxhaj.

Duke e cilësuar operacionin si të suksesshëm, Goxhaj tha se duke izoluar vatrën e zjarrit, u bë e mundur që flakët të mos përhapeshin në objektet dhe bizneset përreth.

“Aty ka pasur sasi të mjaftueshme uji që na janë vënë në dispozicion edhe nga bizneset aty. Ka pasur burime hidrante në të dy krahët e biznesit. Gjithashtu edhe Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka bërë një punë të shkëlqyer duke na furnizuar me ujë. Fillimisht edhe nga pamjet që ju keni, forcat e Shërbimit Zjarrfikës janë vendosur në dy korridoret e biznesit për ta izoluar vatrën e zjarrit, por materialet që është i ndërtuar objekti dhe ato që janë brenda në objekt që janë kryesisht plastike dhe rroba, e bënin të pamundur që të eleminohej vatra e zjarrit brenda objektit dhe njëkohësisht rrezikonte në maksimum jetën e punonjësve të shërbimit Zjarrfikës, sepse aty menjëherë filloi rrëzimi i pjesës lartë të tavanit.

Kështu që ne e diskutuam dhe për të mos rrezikuar jetën e punonjësve dhe për të siguruar gjithë perimetrin dhe bizneset e tjera që janë në atë zonë, kaluam në planin për të izoluar vatrën e zjarrit vetëm brenda këtij objekti, gjë e cila u arrit pas disa orësh luftime pa ndërprerje. Nuk u lejua që vatra e zjarrit të përhapej në objektet dhe bizneset e tjera. Edhe brenda objektit kanë shpëtuar një pjesë e vogël e dyqaneve, mund të themi 5% e tregut”, shtoi më tej Goxhaj.

Goxhaj zbuloi gjithashtu se brenda kapanoneve që u dogjën kishte fikëse zjarri me kapacitet të madh, që sipas tij, nëse do të ishin përdorur në kohë nga punonjësit e sigurisë, ndoshta vatra e zjarrit mund të eleminohej që në fillim.

“Po të shikoni në të dy krahët e hyrjes së objektit janë fikëse zjarri me kapacitet të madh. Nëse do kishte reagim nga punonjësit e sigurisë, ndoshta edhe mund të eleminohej vatra e zjarrit në momentet e para”, përfundoi Goxhaj.

Ora 12:04
“Goditje për sipërmarrjen e vogël, kambanë alarmi për sigurimin”, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë reagon për zjarrin shkatërrues te ish-Uzina Dinamo

1767956764_zjarritetregui5majitzjarr.jpg

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka reaguar për zjarrin që përpiu tregun e veshjeve te ish-Uzina Dinamo në Tiranë. Institucioni thotë në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale se ngjarja prej së cilës janë goditur 50 biznese, është një goditje për familjet dhe sipërmarrjen e vogël.

Reagimi vijon me thirrjen se kjo situatë duhet të shërbejë si kambanë alarmi për sigurimin e bizneseve në raste fatkeqësish natyrore e aksidentale, siç është standardi i Bashkimit Europian ku Shqipëria synon të anëtarësohet.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në tregun e rrobave të përdorura, ku si pasojë e rënies së zjarrit janë dëmtuar rëndë dhe janë shkrumbuar rreth 50 biznese.

Kjo ngjarje përbën një goditje të fortë për dhjetëra familje që siguronin jetesën përmes këtyre aktiviteteve, si dhe për sipërmarrjen e vogël, e cila është një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë lokale.

Njëkohësisht, kjo situatë duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për të gjitha bizneset, mbi domosdoshmërinë e sigurimit të aktiviteteve të tyre, në mënyrë që të kenë mundësi reale për t’u rikuperuar pas fatkeqësive natyrore apo aksidentale, si zjarret dhe përmbytjet, me të cilat po përballet Shqipëria ditëve të fundit.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e synimit të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, ku standardet e menaxhimit të riskut dhe mbrojtjes së biznesit janë thelbësore për qëndrueshmërinë ekonomike dhe zhvillimin afatgjatë”, përmbyll postimi.

Ora 11:15
‘S’është ngjarje aksidentale’, Erisa Xhixho reagon ashpër për zjarrin te tregu i ish-Uzinës Dinamo: Pasojë e braktisjes totale të tregtarëve

1767953787_zjarrineTR.JPG

Deputetja dhe zëvendës-Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, është shprehur se zjarri në tregun e ish-Uzinës Dinamo në Tiranë nuk është thjeshtë një ngjarje aksidentale.

Komentet Xhixho i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shkruar se zjarri është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të papërgjegjshme të braktisjes totale të tregtarëve dhe shkatërrimit të jetesës.

Kjo sipas Xhixhos bëhet qëllimisht nga qeveria, në emër të betonit dhe favorizimit të interesave klienteliste.

Xhixho shtoi se ‘neglizhenca dhe mosndërhyrja në kohë, me të gjitha mjetet, është tregues i indiferencës që e karakterizon këtë qeveri në raport me problemet madhore të qytetarëve’.

Teksa kërkoi që të bëhet transparencë e plotë për shkaqet e zjarrit, Xhixho kërkoi nga Qeveria dhe Bashkia e Tiranës që të dëmshpërblehen sa më parë qytetarët.

"Zjarri në tregun “5 Maji” nuk është thjesht një ngjarje aksidentale. Është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të papërgjegjshme, të braktisjes totale të tregtarëve dhe të shkatërrimit sistematik të jetesës së qytetarëve në emër të betonit dhe interesave klienteliste. Neglizhenca dhe mosndërhyrja në kohë, me të gjitha mjetet, është tregues i indiferencës që e karakterizon këtë qeveri në raport me problemet madhore të qytetarëve.

Sot, përveçse u dogjën stendat dhe malli, u dogj edhe mundi i familjeve që jetojnë nga puna e ndershme. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë përgjegjësi të plotë politike dhe morale. Heshtja dhe justifikimet nuk mjaftojnë. Duhet transparencë e plotë për shkaqet e zjarrit, dëmshpërblim i menjëhershëm për tregtarët dhe fundi i politikës së zhdukjes së tregjeve dhe biznesit të vogël për t’i hapur rrugë oligarkëve", shkruan Xhixho. 

Ora 11:08
Tensione në tregun e ish-Uzinës Dinamo, tregtari përplasje me përgjegjësin e kapanoneve: Je fajtor për flakët! Policia e shoqëron në komisariat

Një incident u regjistrua pak më parë pranë zjarrit, mes një tregtari dhe një përgjegjësi të tregut. Tregtari e ka akuzuar se ai është fajtor për zjarrin e madh. Kjo ka detyruar policinë të ndërhyjë duke e shoqëruar për në komisariat

Ora 09:51
Zjarri masiv në tregun e ish-Uzinës Dinamo, flasin tregtarët: Kemi ngelur në qiell të hapur tani, mbi 200 mijë euro dëme! Nuk na i siguronin bizneset

Dëmet materiale që ka lënë pas zjarri masiv që përfshiu tregun e rrobave te ish-Uzina Dinamo mbrëmjen e djeshme, janë kolosale.

Biznesmenët shprehen të zhgënjyer nga ndërhyrja e forcave zjarrfikëse duke thënë se kapanonet e tjera, përveç atij nga nisën flakët, mund të ishin shpëtuar.

“Unë kam pasur dyqanin më të vogël këtu. Vlera e mallit sa të duash mbi 200 milionë lekë, po të tjerët që kanë më shumë. Unë tregtoja çorape, geta, streçe. Vajza ime kishte dy dyqane.

Jemi në qiell të hapur. Asnjëherë nuk na kanë kërkuar të iknim. Nuk i kemi pasur të siguruara bizneset, nuk na i siguronin. Kemi shkuar tek sigurimet dhe me këtë lloj ndërtimi nuk e merrnin përsipër. Unë paguaja 517 mijë lekë, vajza më shumë se 1 mln lekë. Ka plas zjarri tek panelet, nuk është për fajin tonë. E gjithë jeta jonë ishte këtu. Nuk kam ku të shkoj.”

“Unë jam një nga tregtarët që jam dëmtuar më shumë. Kisha thuajse gjysme kapanoni. Dy kapanontet e tjera mund të ishin shpëtuar. Zjarrfikëset jashtë standardeve. Policia bënte sehir.”

Ora 08:34
Tiranë/ Zjarri masiv te tregu i ish-Uzinës Dinamo, Report Tv siguron videon e nisjes së flakëve që shkrumboi 100 subjekte

Report Tv ka siguruar nisjen e zjarrit te tregu i ish-Uzinës DInamo një ditë më parë duke shkrumbuar 100 subjekte.

Siç shihet nga pamjet, në fillim nga një dyqan nis të dalë tym dhe më pas shpërthen flaka e fuqishme.

Flakët që nisën shihen se përhapën me shpejtësi edhe në të tjerë për shkak të intensitetit të lartë dhe materialeve lehtësisht të djegshme.

Ora 08:29
Subjekte të shkrumbuara totalisht, Report Tv sjell pamjet me dron nga zjarri te tregu i ish-Uzinës Dinamo! Zona nën 'pushtetin' e tymit (VIDEO)

Report Tv ka sjellë pamjet me dron nga riaktivzimi i zjarrit te tregu i ish-Uzinës Dinamo këtë të premte.

Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara në zona është e mbuluar nga tymi teksa nga ana tjetër dallohet qartë subjektet e shkrumbuara totalisht.

Zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e tyre.