TIRANE-  Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë sekuestruar pasuritë e dy shtetasve, me një vlerë që arrin deri në 4 milionë euro, të cilat ishin rezultat i aktiviteteve kriminale.

Drejtori i Policisë së kryeqytetit, Bernard Çaushaj, shpjegoi në një konferencë për shtyp zhvilluar në orët e para të pasdites se hetimet për operacionin e koduar “Çezar 1” kishin nisur që në fillim të vitit 2012.

Pasuria e sekuestruar, që konsiston në hotele luksoze e banesa, i përket shtetasve Shpëtim Kadani dhe Vasil Bajraktari. Kadani, tregoi kreu i policisë së Tiranës, ka qenë anëtar i një organizate kriminale në Romë, ku edhe është arrestuar, e cila merrej me trafikimin e lëndëve narkotike nga Holanda. Ndësa Bajraktari është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 7 vjet burgim për shfrytëzim prostitucioni.

Policia e kryeqytetit tha se aktualisht po vazhdojnë hetimet për të zbuluar pasuri të tjera të këtyre shtetasve.

(im/shqiptarja.com)