Sipas të dhënave të polisicë nga hetimi ka rezultuar se këto pasuri janë blerë me të ardhura me origjinë kriminale të trafikut të narkotikëve, ku i përfshirë ishte shtetasi Tafa. Për këtë aktivitet kriminal ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 4 vjet e 8 muaj burg.
Në një deklaratë për media, zëdhënësi i Policisë së Shtetit Tefik Sulejmani ka zbardhur operacionin, duke dhënë detaje për hetimet e kryera në ngarkim të Tafës.
DEKLARATA E PLOTE E POLICISE
“Nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë dhe Njësinë e Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, ditën e sotme, në kuadër të operacionit të koduar “Tirona”, u ekzekutua vendimi i Gjykatës për vendosjen e sekuestros preventive të pasurive të paluajtshme me vlerë rreth 1.000.000 euro të shtetasit Migert Shkëmbi Tafa.
Në kuadër të këtij operacioni, është bërë sekuestrimi i:
- një hoteli 3 katësh me emrin “Hotel Tirona”
- një dyqani
- si dhe një ambienti i përdorur si zyrë
Sekuestrimi i këtyre aseteve u bë i mundur në sajë të një hetimi intensiv 4 mujor, si dhe një analize të hollësishme financiare të strukturave të luftës kundër krimit financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Task-Forcë.
Ky hetim u krye në kuadër të një procedimi penal regjistruar në ngarkim të shtetasit Migert Tafa për veprën penale “të pastrimit të produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Gjatë ecurisë së këtij hetimi ka rezultuar se këto pasuri janë blerë me të ardhura me origjine kriminale të trafikut të narkotikëve, ku i përfshirë ishte shtetasi Migert Tafa. Për këtë aktivitet kriminal ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 4 vjet e 8 muaj burg.
Bazuar në materialet e grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën e sekuestros për pronat e paluajtshme të këtij shtetasi.
Ndërkaq vazhdon puna dhe po kryhen hetime intensive për identifikimin e pasurive të tjera të këtij shtetasi, me qëllim vendosjen e sekuestros në kuadër të këtij procedimi penal.
Ky operacion është në vazhdën e një sërë operacionesh të suksesshme të strukturave të luftës kundër krimit financiar në Policinë e Shtetit, në kuadër të një sërë hetimesh të rëndësishme, me qëllim sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtari kriminale”, thuhet në deklaratën e policisë.
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)