Policia ka arrestuar një 33-vjeçar për sulmin në komisariatin nr. 3 në protestën e së shtunës në Tiranë. Erald Heqimaj nuk rezulton me precedent penal, ndërsa është shprehur se veprimet e tij kanë qenë ekzaltim nga turma ndaj dhe ka nisur të qëllojë me shkop. Veç tij, nën hetim në gjendje të lirë janë 7 të tjerë, ndërsa 4 janë shpallur në kërkim.
Ata akuzohen për "Thirrje publike për veprime të dhunshme", "Shkatërrimi i pronës", "Goditja për shkak të detyrës", "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë", "Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë", "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike", "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".
Sulmi i së shtunës ndodhi pas rreth dy orësh protestë para kryeministrisë, ata iu drejtuan komisariatit në rrugën “Mine Peza” për të kërkuar lrimin e 19 protestuesve të arrestuar për aktet e dhunës te Kuvendi. Disa prej tyre ishin me maska, ashtu siç u shfaqën edhe gjatë protestës.
Më pas, me gurë e shkopinj thyen xhamat e komisariatit dhe shqyen derën duke hyrë deri në dhomën e pritjes.
Policia krijoi menjëherë një kordon sigurie në përgjigje të aktit të dhunshëm dhe përdori ujë për t’i shpërndarë. Megjithatë, ata u ulën përpara kordonit duke vijuar me thirrjet për lirimin e 19 protestuesve.
Për këta të fundit, të dielën gjykata vendosi që 12 prej tyre të liheshin me detyrim paraqitjeje, 2 në arrest shtëpie dhe 5 pa masë sigurie.
Njoftimi:
Vijojnë veprimet hetimore për tubimin e zhvilluar më datë 04.07.2026. Arrestohet 1 shtetas, procedohen penalisht 7 shtetas dhe shpallen në kërkim 4 shtetas.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 04.07.2026, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, gjatë të cilit u kryen veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë dhe godinës së Komisariatit, u identifikuan 12 shtetas të dyshuar të përfshirë në këto veprime.
Në vijim të veprimeve procedurale:
- u ndalua me iniciativë shtetasi E. H., 33 vjeç;
- u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit K. M., V. K., E. L., Sh. B., V. D., E. N. dhe B. K.;
- u shpallën në kërkim 4 shtetas, inicialet e të cilëve nuk bëhen të ditura, për shkak se hetimet vijojnë.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në aktet e dhunshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale "Thirrje publike për veprime të dhunshme", "Shkatërrimi i pronës", "Goditja për shkak të detyrës", "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë", "Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë", "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike", "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente









