TIRANE - Gra e vajza marshuan sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet në shenjë proteste ndaj dhunës së ushtruar ndaj tyre. Nëpërmjet ftesës së Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli ato iu bashkuan lëvizjes në emër të grave, në emër të fëmijëve, kundër dhunës në familje.

“Mos ma prek nënën!”, “Stop dhunës ndaj grave”, “Stop dhunës ndaj fëmijëve!”, “Mos ngre dorë kundër gruas!”, ishin thirrjet që lexoheshin në pankartat që këto gra mbanin në duar.

Duke iu referuar ngjarjeve tragjike të ndodhura intensivisht kohët e fundit në vend, të vrasjeve të nënave e vajzave të reja, Kryetarja e Kuvendit drejtoi këtë lëvizje të heshtur dhe pa fjalime.

“Të shokuar nga ngjarjet e fundit barbare të krimeve në familje, të indinjuar nga vrasja e nënave dhe vajzave të reja, të prekur thellë në shpirt për tmerret që fëmijët kanë parë e kanë ndjerë, me dhimbjen e madhe për këtë dhunë të çmendur, sot secila prej nesh është Aishja, Flutura, Limja, Rola nda, Mira, Manjola, Fatjona, Marjana…”, shkruhet në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)