TIRANE-  Policia bën të ditur se ka identifikuar 4 autorët e vrasjes së Julian Çunit, 17 vjeçari i cili punonte si faturino në një furgon të linjës Tiranë- Durrës. Sipas policisë autorët e vrasjes së ndodhur pasditen e së dielës më 25 nëntor janë Sulejman, Hasan, Behar dhe Klodian Morina. Policia thotë se 4 shtetasit janë shpallur në kërkim dhe ka nisur puna për arrestimin e tyre.

VRASJA ME 25 NENTOR

Gjithçka ka nisur dje pasdite, pas një konflikti të çastit. Teksa kanë tentuar të zbresin nga furgoni, pranë Zogut të Zi në kryeqytet, aty ku dhe stacionohen furgonët e linjave të ndryshme të udhëtimeve, pasagjerët kanë pretenduar se e kanë paguar biletën, 1500 lekë të vjetra. Por ky fakt është kundërshtuar nga faturino Juljan Cuni, 17 vjeç nga Babrruja. Ai ka insistuar t’i kërkojë pasagjerëve pagesën, por ata i janë kthyer duke e qëlluar me grushte madje kanë përdorur dhe mjetin e ftohtë thikë.

Këta personat dyshohet se kanë hipur në stacionin e trenit në furgonin ku punonte Juliani dhe pas debateve me të, njëri prej tyre ka goditur disa herë me thikë Julianin duke e lënë të vdekur në vend. Pas krimit autorët zbritën nga furgoni pranë Zogut të Zi duke u larguar me shpejtësi për të humbur gjurmët. Grupi hetimor i ngritur për ngajren ka punuar për afro 1 javë me imazhet e fiksuara nga kamerat e sigurisë për të zbardhur identitetin e autorëve.

Pritet që arrestimi i të dyshuarve me të njëjtin mbiemër të zbardh dhe autorsinë se cili prej tyre goditi me thikë disa herë Julianin, duke i shkaktuar hemoragji dhe vdekjen e menjëhershme. Policia e kryeqytetit ka kryer kontroll në banesën e këtyre shtetasve, por nuk ka mundur ti gjej në banesë pasi dyshohet se janë larguar.

(Redaksia online)
(ar/sg/shqiptarja.com)