Një grup kriminal që merrej me shitjen e dozave të kokainës në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonën e ish-Bllokut janë zbuluar nga policia e Tiranës. Deri tani janë arrestuar 3 persona ndërsa 2 janë shpallur në kërkim.

Report TV mëson se në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit Rei Trimi, 25 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u ekzekutuan masat e sigurisë "Arrest në burg" për shtetasit Vilson Hasani, 30 vjeç, dhe Mariglen Pupa, 26 vjeç, të dy banues në Tiranë.

“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe më pas e shisnin atë në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonën e ish-Bllokut” thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.

Si dhe u shpallën në kërkim bashkëpunëtorët e tyre, shtetasit S. T., dhe A. B.

Gjatë operacionit është sekuestruar lëndë e dyshuar narkotike kokainë, shuma parash, 7 aparate celulare.

Gjatë hetimit janë aplikuar metoda speciale të hetimit, ndërsa operacioni u kodua "Rapid dispatch", (shpërndarja e shpejtë)  dhe u ndërmor nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

1687605475_tiranekokaine.jpeg