TIRANE- Me 4 pistoleta u arrestuan dje 4 persona në Tiranë, ndërsa 2 të tjerë u prangosën për moskallëzim krimi, pasi kishin dijeni rreth armëve. Dy prej pistoletave ishin me silenciator dhe policia dyshon se të arrestuarit janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të armëve, me bazë në Ballkan dhe linja që shtrihen në disa shtete të Europës. Ndërkaq, armët e tjera, tashmë të sekuestruara, dyshohet se do të përdoreshin në ngjarje kriminale, pasi ishin gati blerësit në Tiranë. Me anë të një njoftimi zyrtar Policia e Tiranës tha se komisariati nr.2, në kuadër të operacionit policor të koduar “Silenciatori” u bë e mundur arrestimi në flagrancë i 6 personave.

Kështu, në pranga ranë Albert Aliaj, 42 vjeç, lindur në Zenisht të Matit dhe banues në Tiranë, Andi Zogu, 22 vjeç, lindur në Bulqizë dhe banues në Tiranë, Besmir Sefgjini, 28 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Laprakë dhe Klevis Kuleni, 28 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë. Ndërkaq, Ramazan Lila, 44 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Klajdi Lamaj, 18 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, u kapën për moskallëzim krimi. Ata qarkullonin me armë zjarri në automjetet e tyre. Pas vlerësimit të informacionit, u arrestuan pasi u kapën në kushtet e flagrancës në kryqëzimin e rrugës “Medar Shtylla” me rrugën “Don Bosko” në Tiranë, me 4 armë zjarri, dy prej të cilave pistoleta me silenciator.

Krahas sa më lartë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një pistoletë model revolver me mulli, me 7 fishekë në mullirin e saj, një pistoletë model Zoraki, me krehër, si dhe 2 silenciatorë të përshtatur për këto armë. Pas veprimeve hetimore të bëra nga strukturat e policisë së këtij komisariati, ka rezultuar se shtetasit e arrestuar i posedonin këto armë, në bashkëpunim me njëri tjetrin, me qëllim shitjen dhe përdorimin e tyre në ngjarje kriminale.

Linjat dhe shtetet ku armët kalojnë nëpër Evropë
E përditshmja spanjolle “Lainformacion.com” shkruan se “Me grabitjen armëve nga hapja e depove ushtarake në Shqipëri, miliona armë dhe municione kanë rënë në duart e organizatave kriminale, të cilat duke përfituar nga kontrollet e buta kufitare brenda Bashkimit Evropian, i kanë futur këto armë me makina në Francë dhe Belgjikë”. Fakti se Franca është bërë shtegu i armëve të paligjshme që vijnë nga Evropa Lindore u pranua nga Presidenti i Unionit Francez të Armëve Jean-Jacques Buigne.
 

Shkrimi u publikua sot (14.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)