Bushati te ‘5 Pyetjet’: Pro taksës së Kosovës për Serbinë, por Shqipëria s’e aplikon dot, me Greqinë vijojnë bisedimet

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati i ftuar në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” foli për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Pejë, marrëveshjet që janë firmosur, kryesorja heqja e tarifave doganore. Referuar vendimit të Kosovës për të vendosur taksë 100% për mallrat serbe, Bushati tha se Shqipëria e mbështet vendimin, por nuk mund të aplikojë të njëjtën gjë për Beogradin.

Përsa i përket vrasjes së ekstremistit grek në Gjirokastër ai rrëzoi hipotezat se strukturat greke kishin gisht, ndërsa shtoi se vijojnë bisedimet për çështjet mes dy vendeve që janë ende pezull. Në fund të intervistës Bushati kishte një përgjigje edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha që e akuzoi një javë më parë te ‘5 Pyetjet’ për lidhje me bandat në Shkodër.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:55
Arratisja, Bushati: Ja si hyri Gruevski në Shqipëri

Ministri Bushati komentoi edhe arratisjen e ish-kryeministrit të Maqedonisë nga Shqipëria. “Gruevski ka kaluar në Shqipëri në një moment kur nuk ishte në kërkim ndërkombëtar. Hyrja nuk është regjistruar në pikën e kalimit kufitar, mund të ketë hyrë në mënyrë klandestinë nga kufiri i gjelbër. Nuk ka asnjë konspiracion për të qetësuar shpirtrat e trazuar” tha ai.

Ora 21:55
Akuzat e Berishës, Bushati: Ka frikë nga drejtësia se i ka duart me gjak

Ditmir Bushati i pyetur për akuzat një javë më parë të ish-kryeministrit Berisha te '5 Pyetjet' ndaj tij për lidhje me bandat në Shkodër u përgjigj duke thënë se  “Tjetër kush i ka duart me gjak, tjetër kush ka frikë për të ardhmen e familjes së tij, por edhe nga dara e drejtësisë” (shiko këtu për akuzat e Berishës).

Ora 21:46
Kufiri detar, Bushati: Vijojnë bisedimet me palën greke

Ministri Bushati deklaroi në Report Tv se bisedimet me palën greke për çështjet që janë pezulluar vijojnë, por nuk dha detaje. “Jemi në bisedime me palën greke, ky nuk është një proces i lehtë.

Ne vijojmë që të jemi në tryezë, ka çështje që kemi rëndë dakord si do i zgjidhim, por jemi në proces detajimi, ka çështje që po i heqim nga tryeza, por edhe që janë në tryezë.

Grekët kuptuan që marrëveshja e 2009 ishte në kurrizin e Shqipërisë. Aktualisht synojmë një marrëveshje të drejtë. Të gjitha çështjet që ka pasur rezultate kemi komunikuar me opinionin” deklaroi ai.

Ora 21:30
Vrasja e ekstremistit, a kanë gisht strukturat greke? Bushati: Ja informacionet që kam

Referuar vrasjes së minoritarit grek në Gjirokastër që shkaktoi tensione mes Tiranës dhe Athinës, ministri Bushati mohoi hipotezat se në atë incident mund të kenë pasur gisht strukturat greke. “Jo, nuk ka pasur, nga informacionet që unë kam. Ata përdhosën një ceremoni që duhet të ishte bërë sipas riteve përkatëse. Jam dakord 100% me ministren greke të Arsimit.

Do të kishim preferuar një qëndrim të qartë, distancues ndaj thirrjeve irredentiste, por edhe qëndrimi i Shqipërisë ka qenë kaq i qartë, jemi fokusuar te veprimi dhe jo te retorika. Nuk mendoj se incidenti ishte me sfond etnik, do të ishte spekulim që ti jepnim këto trajta. Ka pasur kontakte mes dy vendeve ku është ripërsëritur mesazhi që të dyja vendet janë të angazhuara për procesin e bisedimeve” tha ai.

Ora 21:04
Mbledhja Shqipëri-Kosovë, Bushati tregon nëse ka pasur telefonata nga Brukseli dhe Gjermania

Mbledhja e përbashkët Shqipëri-Kosovë ka shkaktuar reagime në Serbi, aq më tepër pas vendimit për heqjen e tarifave doganore mes Tiranës dhe Prishtinës.

I pyetur nëse ka pasur telefona nga Brukseli apo Gjermania, Bushati u shpreh te ‘5 Pyetjet’ se ‘Natyrisht Brukseli në kuptimin simbolik apo partnerët që kanë investuar në rajon janë të interesuar për stabilitetin e rajonit, por e dinë shumë mirë që kursi i Shqipërisë dhe kontributi në rajon është i padiskutueshëm, askush nuk ka pikëpyetje.

Për Shqipërinë nuk ka projekt alternativ përkundrejt BE-së sado kohë të turbullta të kalojë BE. Kjo është një zgjedhje strategjike. Shqipëri-Kosovë dhe shqiptarët në rajon kanë qenë promotorë të zhvillimeve pozitive, mbajtësit e stabilitetit. Ka një apati nga BE për të vënë në jetë marrëveshje që vetë i ka ndërmjetësuar mes Shqipërisë dhe Kosovës’ tha ai.

Ora 20:53
100% tarifë për mallrat serbe, Bushati: Shqipëria mbështet Kosovën, por s’do të aplikojë të njëjtën gjë

Ministri Bushati u shpreh se Shqipëria mbështet vendimin e Kosovës për të vendosur 100% tarifë doganore për mallrat serbe, ndërsa shtoi se Tirana nuk do të aplikojë të njëjtën gjë për Beogradin.

“Nuk do të aplikohet në Shqipëri. Qeveria shqiptare mbështet politikën e politikës së Kosovës për aplikimin e taksave ndaj Serbisë në kushtet specifike ku ndodhemi. Të gjitha vendet e rajonit janë pjesë e CEFTE-s.

Aplikimi i taksave që Kosova po përqafon është një rrugë e vetme përballuar këtë situatë. Nuk mund të interpretohet që edhe Shqipëria do të bëjë të njëjtën gjë. Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi kalojnë përmes Kosovës. Ne jemi me Kosovën, por ne nuk do të aplikojmë të njëjtën gjë për Serbinë” tha Bushati.

Ora 20:42
Mbledhja Shqipëri-Kosovë, Bushati: Do të krijojmë tregun e përbashkët

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i ftuar në Report Tv ka vlerësuar mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Shqipërisë dhe Kosovës. Ai tha se disa çështje nuk janë zgjidhur për shkak të neglizhencës apo interesave klienteliste në të dy anët e kufirit, por në tërësi bashkëpunimi ka njohur përmirësime, ndërsa renditi disa marrëveshje.  ‘Sot jemi në kushtet ku bashkëpunimi mes dy vendeve konsiderohet strategjik. Janë vendosur disa trase të rëndësishme që ne duhet të ndërmarrim veprime konkrete në fushën e tregut për heqjen e barrierave tarifore dhe jo tarifore.

Ka pasur neglizhenca në të dy anët, për disa raste ka munguar vullneti për të çmontuar disa interesa lokaliste apo kleinteliste, por në tërësinë e saj marrëdhënia me Kosovën ka njohur përmirësime. Brenda 6 mujorit të parë të 2019 të hiqet tarifa për roaming. Do të krijohet një pikë doganore në portin e Durrësit. Do të hiqen tarifat, do të zerohen barrierat. Do të hiqen 42 licenca që u nevojiten prodhuesve nga të dy anët e kufirit për të dalë në treg. Po krijojmë tregun e përbashkët” deklaroi Bushati.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kapshticë/ 5 ditët  e fundit, mbi 42 mijë hyrje dhe dalje në pikën e kalimit kufitar, shqiptarët kthehen në vendlindje për festat

Kapshticë/ 5 ditët e fundit, mbi 42 mijë hyrje dhe dalje në pikën e kalimit kufitar, shqiptarët kthehen në vendlindje për festat