TIRANE  - Pep Guardiola është kthyer në qendër të vëmendjes së mediave të Spanjës dhe Gjermanisë, por jo vetëm pas deklaratave të tij kur presidentit Rosell se kishte ndërhyrë për të prishur marrëdhëniet mes tij dhe trajnerit aktual te Barcelona, Tito Vilanova. Në një komunikim me mediat iberike, Vilanova mohoi kategorikisht deklaratat e Guardiolës duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pa mbështetura në asnjë fakt.

“Guardiola gabon, deklaratat e tij në adresë të stafit të Barcelonës nuk janë aspak të vërteta. Askush në Bordin Drejtues të Barcelonës nuk ka përdorur sëmundjen time kundër tij. Përkundrazi, unë u jam mirënjohës drejtuesve që më ndihmuan mua dhe familjen time në një moment të vështirë” deklaron tekniku i katalanasve. Në vazhdim të intervistës së tij, Vilanova nuk nguron që të sulmojë ish-shefin e tij që tani drejton ekipin e Bayernit të Mynihut.

“Kur m’u afrua detyra e trajnerit, i pari që më inkurajoi për ta pranuar ishte Pep. E njoh prej 28 vjetësh, ai është miku im. Do të doja që kjo zhurmë të transformohej në dicka pozitive për barcelonizmin. Por, qendrova për dy muaj në Nju Jork dhe ai nuk mori guximin të më vizitonte gjatë rikuperimit. Ishte miku im. S’kam cfarë të them tjetër” deklaron më pas Villanova. Fjalia e tij e fundit se Pep ishte miku im tregon më së qarti se marrëdhëniet mes tij dhe Guardiolës janë futur në një krizë shumë të vështirë.
 
JA ÇFARË THA PEP GUARDIOLA
 
“Isha rreth 6 mijë km larg dhe u kërkova të më linin të qetë por drejtuesit e shoqërisë përdorën sëmundjen e Vilanovas për të më bërë keq dhe këtë nuk kam për ta harruar asnjëherë. Ata nuk e mbajtën fjalën. Vilanovan e takova në Nju Jork, por më pas nuk u takuam më ndoshta sepse nuk ishte e mundur por kjo nuk ndodhi për shkakun tim. Është vërtet për të ardhur keq që duhet të justifikohem për marrëdhëniet e mija me një njeri që e kam pasur shok për shumë kohë” përfundoi Guardiola.
 
KUNDËRPËRGJIGJA E ROSELL
 
”Ne kurrë nuk do ta shfrytëzonim shëndetin e Titos ose të dikujt për diçka. Pasi e them këtë, ne kemi menduar për gjërat e mira, e kemi falënderuar atë, dhe jemi siguruar se ne të gjithë jemi tifozë të Guardiolës përgjithmonë. Pep është një rival, jo armik. Unë nuk e shoh Guardiolën duke garuar për president, por nëse do të ishte kështu, do të isha i ngazëllyer. Ne kemi folur fundjavën e kaluar, por për hir të privatësisë nuk do të them çfarë kemi folur” deklaroi presidenti.
 
DE LAURENTIS ‘TALLET’ ME PSG, NGULON PËR HIGUAIN
 
Pas shitjes së sulmuesit të talentuar uruguaian, Cavani te PSG për shumën e 63 milionë eurove, presidenti i ekipit të Napolit gjen kohën edhe të thumbojë sheikët për shumën marramendëse që paguan për të siguruar shërbimet e sulmuesit. “Nëse në kontratë nuk do ishte klauzola 64 milionë Euro për prishjen e saj, nuk do ta kisha shitur Kavanin për cështje principi.

Sepse me para nuk mund të blihet gjithcka. Nuk është e logjishme edhe në planin etik, cdo vit që kalonte më duhej të rrisja cmimin e kartonit të Kavanit, aq sa erdhëm në një pikë ku shifra ishte më e lartë nga shuma që Bajerni i Mynihut përfitoi nga suksesi në Champions Ligë.

Problem janë disa klube që drejtohen nga presidentët e shoqërive që i sponsorizojnë, të cilët shpenzojnë shifra absurde për blerjen e futbollistëve” ka deklarur presidenti i ekipit të Napolit De Laurentis, i cili pas largimit të Cavanit është në kërkim të një sulmuesi tjetër dhe objektivi i parë për të mbërritur në ‘Sao Paolo’ është as më pak dhe as më shumë, por ‘El pipita’ që nuk është në listën e Ancelotit te Reali.

Argjentinasi është në radarin e disa ekipeve, por vetëm De Laurentis është gati që të oforjnë 30 milionë euro për shërbimet e tij. Në garë me ekipin e Napolit për Higuain është edhe ekipi i Arsenalit që ka shumë kohë që e ndjek, por nuk pranon që të paguajë shumën e 30 milionë euro, pavarësisht se babai i sulmuesit deklaroi se marrëveshja është arritur. Reali kërkon largimin e tij për të afruar një tjetër bomber, mes të cilëve në listë janë Suarez dhe Ibra nga PSG. Suedezi është gati të vetëoforhet vetëm të luajë në Madrid, ndërsa dëshira merengues është Suarez, pasi është më i saktë.
 
PREZANTOHEN DY ZIKALTËR, MASIMO MORATI SHET INTERIN
 
Interi më në fund ka prezantuar zyrtarisht përforcimet e reja, Mauro Icardin dhe Ishak Belfodilin. Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio ka prezantuar dy blerjet duke shprehur besimin se do të jenë suksesi zikaltër këtë edicion në Seria A. Në konferencën e parë për shtyp, Icardi është shprehur mjaft i lumtur që është pjesë e një ekipi legjendar si Interi.

“Pas shumë ofertave zgjodha Interin sepse është klub i madh në të cilin mund të zhvillohem. Kishte shumë spekulime për mua, isha shumë pranë ekipit të Napolit, por në fund zgjodha Interin. Unë gjithmonë e kam ndjekur Batistutan. Është shumë gjë e mirë për mua, unë jam vetëm 20-vjeç dhe nëse tifozët janë duke e blerë fanellën time do të thotë se ata më.

Shpresoj të shpërblej besimin e tyre duke shënuar sa më shumë gola”, përfundoi Icardi. Ndërsa më pas ka folur për mediat dhe u është përgjigjur intetresit të mediave edhe Ishak Belfodil. “E takova Maxarin para një jave, ai është një njëri që e do shumë punën, asnjëherë nuk dorëzohet.

Te Interi do të jap maksimumin për të arritur qëllimet, shpresoj në një aventurë pozitive” përfundoi ai. Ndërsa presidenti i Interit, Morati i gjendur përballë një krize financiare që e la edhe jashtë Champions League më në fund ka pranuar ofertën e biznesmenit të njohur indonezian Thohir për të blerë aksionet e ekipit zikaltër, por me një kusht që Morati të vazhdojë që të jetë president i ekipit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (prit) 17.07.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)