Titujt në përdorim, si dhe ku bëhet regjistrimi i pronësisë

Në emisionin “Këndi i Ekspertit”, në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në Rubrikën “Prona Ime” ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj, drejtues i Studios Ligjore “Bylis”. Eksperti ynë ka folur fillimisht për regjistrimin e e titujve në përdorim, pra për nenin 59. Begaj ka sqaruar se çfarë kuptojmë me titull pronësie në përdorim dhe se cilat pasuri hyjnë në kategorinë e titujve të pronësisë në përdorim. Ai ka shpjeguar se në cilin institucion regjistrohen këta tituj pronësie dhe se kush ka të drejtë që të marrë një pronë në përdorim. Më pas Gjergji Begaj u është përgjigjur pyetje që kanë mbërritur nga qytetarët live në Report TV.

Sot do të flasim për regjistrimin e titujve në përdorim, pra për nenin 59. Çfarë kuptojmë me titull pronësie në përdorim? Cilat pasuri hyjnë në kategorinë e titujve të pronësisë në përdorim?

Në cilin institucion regjistrohen këta tituj pronësie? Kush ka të drejtë që të marrë një pronë në përdorim?

Edhe kjo temë për të cilën do të flasim sot, ashtu sikurse edhe të gjitha temat e tjera të mëparshme që kemi trajtuar, ka rëndësinë e saj. Neni 59, pra regjistrimi i pronave në përdorim, do të thotë që, të gjitha ato prona, të cilat kanë një titull pronësie, por që janë pronësi shtet dhe quhen në përdorim, d.m.th. jepen me qira për njëfarë kohe të caktuar, gjithmonë nga shteti, dhe nuk janë certifikuar. Regjistrimi i tyre bëhet në kartelë, d.m.th. është hapur kartelë, por jo certifikatë. Kjo do të thotë që janë disa prona, jo të gjithë titujt e pronësive që mund të jepen janë në përdorim. Ato më të theksuarat janë tokat bujqësore, pyje, magazina që janë në pronësi të shtetit dhe i lind e drejta institucioneve që këto prona t’ua japin individëve fizikë ose subjekteve që janë të interesuara, që i përdorin për biznes. Këtu varet koha e afatit të dhënies së afatit në përdorim e biznesit që do të kryejë personi ose subjekti, por afati ose kohëzgjatja më e gjatë e dhënies në përdorim shkon deri në 99 vite. Pra kjo do të thotë që përdoren për një qëllim të caktuar të biznesit. Kështu që, të gjitha ato prona, të cilat kanë këtë titull pronësie, mund të mbahen në përdorim nga shteti, por mundet që edhe ndonjë nga këto prona të dalë në shitje, në ankand nga shteti.

Mund të dalë në ankand edhe në periudhën që ajo është duke u shfrytëzuar nga një qytetar apo nga një subjekt? A ka ndonjë kontratë paraprake?

Është kontrata e përdorimit. Në qoftë se shikohet e arsyeshme që biznesi ka avancuar, d.m.th. që është ngritur një biznes afatgjatë, atëherë mund t’i lindë e drejta që të kërkojë edhe blerjen e kësaj prone nga shteti. Ka mundësi. Por gjithmonë kjo lidhet me zhvillimet strategjike, d.m.th varet nga sasia e sipërfaqes dhe nga zhvillimi i biznesit që bëhet.

Cilat janë dokumentet që duhen për ta regjistruar këtë pronë? Si procedohet pastaj?

Kemi të bëjmë edhe me tituj pronësie në përdorim, që i kanë qytetarët, sidomos për tokat bujqësore, d.m.th. për Ligjin nr. 7501. Pra kemi tapi edhe në pronësi edhe në përdorim. Në rast se do të flasim për këto prona, normalisht që qytetari do ta përdorë derisa shteti do t’i japë të drejtën që ta marrë në pronësi, ose do të qëndrojë përherë në përdorim me një kontratë qiraje, për tokat bujqësore që i kanë marrë nga Ligji nr. 7501, ndërsa për pronat e tjera që i ka shteti në pronësi, dokumenti kryesor është që subjekti do të paraqesë një kërkesë pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave dhe Kadastrës që merret me këto prona, me anën e të cilës do të paraqesë interesin e tij për këtë pronë që ta marrë në përdorim për një kohë të caktuar.

Flas nga Tirana. Para një viti kam marrë një shkresë nga Hipoteka, në të cilën shkruhet: “600 m2 të truallit tuaj janë legalizuar”. Unë kam shkuar disa herë në Hipotekë, kam aplikuar dhe i kam thënë: “Përderisa ju më keni shkruar se 600 m2 janë legalizuar, përse nuk më jepni emrin e personit, të cilit i është bërë legalizimi”. Më ka ardhur një përgjigje edhe nga Apeli i Hipotekës, ku shkruhet: “Ju duhet të sillni hartën”. Unë jam e arsimuar dhe gjykoj kështu: përderisa 600 m2 janë legalizuar, d.m.th. se institucioni e di se kush i ka marrë. Por atje më thonë se nuk japin emra. Çfarë duhet të bëj?

Zonja ka një shqetësim, por unë do t’i thosha që të interesohej për VKM-në, pra për të marrë VKM-në e shpronësimit të kësaj sipërfaqeje prej 600 m2, që asaj i është zënë nga ndërtimet informale, sepse me sa kuptova, zonja ka një pronë të vjetër e cila i është zënë nga qytetarë që kanë ndërtuar pa leje. Interesi i zonjës tani është që të marrë shpronësimin, pra kompensimin financiar për këtë pronë. Unë i këshilloj që të mos merret me emrat e personave që kanë ndërtuar tek ajo pronë. Punonjësit e Hipotekës nuk kanë të drejtën ligjore për të dhënë emra sepse në këtë mes, arbitri është shteti. Kjo është sanksionuar edhe me ligj, pra me një nen të veçantë në ligjin “Për Legalizimin”. Kjo është bërë për të shmangur konfliktet midis qytetarëve, pra midis atij që zë tokën dhe pronarit të vjetër. Prandaj merret institucioni me këtë punë, njërit i jep truallin në pronësi me anën e legalizimit dhe pronarit të vjetër i bën shpronësimin e këtij trualli, duke e kompensuar financiarisht me anën e një VKM-je. Tani interesi i zonjës është që të kërkojë VKM-në e shpronësimit për këtë pronë. Pra, edhe një herë, të bëjë një kërkesë pranë institucionit të Kadastrës, me anën e të cilës të kërkojë VKM-në për shpronësimin e pronës së saj. Asaj nuk i duhen, nuk i hyjnë në punë emrat e personave që kanë ndërtuar në ish-pronën e saj.

Jam nga Kruja. Kam një tokë, që është e regjistruar në Kadastër si kopsht. Në atë vend janë ndërtuar zyrat e ndërmarrjes pyjore, rreth vitit 1970. A kam të drejtë unë, si pronare, të kërkoj ndonjë gjë për këtë tokë?

E drejta e pronës është e përjetshme. Zonja ka të drejtë, por me kushtin që ajo duhet të zotërojë dokumentet e origjinës. Në qoftë se zonja i ka dokumentet e origjinës së tokës, të Kadastrës së vjetër, i lind e drejta që të hapë një proces gjyqësor pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krujës dhe të kërkojë shpronësimin e kësaj toke që është zënë nga Ndërmarrja Pyjore. Por duhet që të orientohet nga një studio ligjore dhe ka të drejtë që ta vazhdojë këtë proces gjyqësor deri në kompensimin e plotë të pronës. Asnjëherë nuk i hiqet e drejta personit për të kërkuar pronën e tij. Procesi gjyqësor mbetet e vetmja rrugëzgjidhje sepse ka përfunduar afati për ta zgjidhur me Agjencinë e Kthimit të Pronave.

Jam nga Vlora. Babai më ka lënë 47 ha tokë dhe me Ligjin 7501 tokën e morën persona të tjerë. Për mua ky ligj është ligji i shkatërrimit të tokave shqiptare, sepse unë nuk mund të marr tokën time, të trashëguar nga babai. Si është e mundur kjo?

Edhe unë bashkohem me shqetësimin e zotërisë, që duke pasur një sipërfaqe të konsiderueshme, të mos e gëzojë. Në parlamentin shqiptar pluralist, në vitin 1991, është miratuar ligji për pronat. Edhe më pas kur janë bërë ndryshime të tjera, ne si specialistë kemi thënë që ka pasur disa defekte serioze në disa nene të tij, të cilat duheshin përmirësuar. Por, tashmë, kjo ka ndodhur dhe fajin nuk e mban askush. Normalisht zotëria, që në vitin 1993, kur filloi punën Komisioni i Kthimit të Pronave, duhej që të kishte kompletuar dosjen dhe nëse do t’i kishte dokumentet e duhura ligjore, pra të rregullta, mendoj se do ta kishte marrë një pjesë të sipërfaqes së tokës së tij. Megjithatë, nëse zotëria ka dokumente të vjetra ligjore, mund të vazhdojë të kërkojë tokën e tij, duke hapur një proces gjyqësor në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë. Për këtë duhet që të ketë dokumentin e origjinës së pronës, të bëjë hartën e pronës sipas kufijve të vjetër. Pra, zotëria ka të drejtë që të vazhdojë të kërkojë pronën e lënë trashëgim nga babai. Por sesa do t’ia dalë zotëria që të marrë nga toka e tij, unë nuk mund të përgjigjem, sepse kjo varet nga dokumentet që ai zotëron dhe nga vendimet që do të marrë gjykata, gjithnjë nëse ai do ta vazhdojë këtë procedurë gjyqësore.

Jam nga fshati Nivicë i Sarandës, në Bashkinë e Himarës. Me Ligjin nr. 7501, kam marrë aktet e marrjes së tokës në pronësi me anën e një vendimi të Gjykatës së Lartë. Kam bërë edhe aplikimet në Hipotekë. Kam një vit që kam bërë aplikimet dhe nuk kam marrë ende asnjë përgjigje nga Hipoteka. Fillimisht tokat kanë qenë të kooperativës bujqësore dhe më pas kaluan në fermë, pra në ndërmarrje bujqësore.

Para dy vitesh, si ekspert kam pasur një rast me një banor po të këtyre zonave, për të gjetur pronat në terren sipas vendimeve. Aty jam ndeshur me disa pengesa sepse persona të ndryshëm kishin zaptuar tokat dhe kishin bërë rrethimet sipas interesave të tyre. Kjo do të thotë që problemi kryesor, sipas meje, duhet që të jetë çështja hartografike e asaj zone, pasi duhet që të bëhet një ndarje e drejtë, sipas tapive që kanë marrë personat. Është gjë e mirë që zotëria ka vendimin e Gjykatës së Lartë. Tani duhet parë nëse po punohet për ndarjen e ngastrave të tokës në terren. Kjo është e drejta e shtetit për ta bërë, pra ky proces është azhurnimi i tokave. Nëse ky proces ka mbaruar, zotëria duhet që të interesohet dhe të vazhdojë me procesin e regjistrimit pranë Kadastrës së Sarandës. Nëse procesi është në vijim, pra po punohet ende për azhurnimin e tokave, duhet që të presë përfundimin e procesit.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin