Tjetër 'front' në PD? Kërkohen 15
ndryshime në statut,ja dokumenti

Tjetër 'front' në PD? Kërkohen 15<br />ndryshime në statut,ja dokumenti<br>
Partia Demokratike vijon të kalojë një gjendje të vështirë përçarjeje, e cila u krijua që me marrëveshjen politike Rama-Basha të 18 majit, për t’u thelluar më tej me humbjen e thellë që pësoi më 25 qershor dhe më tej me zgjedhjet për kryetarin e ri të PD më 22 korrik. Të gjitha këto ngjarje të pak muajve krijuan dy fronte brenda PD, një pjesë që mbështesnin Bashën dhe fronti tjetër, që fajësonte këtë të fundit për gjithçka po kalonte partia.

Disa prej zërave kundër Bashës sot kanë prezantuar një dokument, i cili propozon 15 ndryshime në statutin e PD. Iniciativa u prezantua nga Edit harxhi dhe Edvin Kulluri, të cilët deklaruan se kanë për qëllim bashkimin dhe ringritjen e partisë.

“Iniciativa për ndryshime statutore për bashkimin dhe ringritjen e PD. Ndryshimet për ristrukturimin strukturave të PD, kufizojnë pushtetin e kryetarit dhe zvogëlimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Të kufizohet numri i anëtarëve të Kuvendit kombëtar të PD”, tha Harxhi.

Ndërkohë, grupi anti-Basha i krijuar pas marrëveshjes së 18 majit kryesohej nga ish-deputeti dhe ish-nënkryetari i PD, Astrit Patozi, dhe ku u bashkuan disa figura të njohura dhe me peshë në PD, siç ishin Besnik Mustafai, Majlinda Bregu, etj, por tashmë duket të kemi një tjetër grup, që deklaroi se nuk është as me Bashën dhe as me Patozin.

Më poshtë keni edhe përmbledhjen e propozimeve për ndryshimet statutore të Partisë Demokratike.

1. Ndryshimet Statutore të Partisë Demokratike kanë për qëllim demokratizimin, bashkimin dhe ringritjen e Partisë mbi baza të forta institucionale ku Statuti i Partisë, pra Kushtetuta e saj bëhet dokumenti më i rëndësishëm i kësaj force politike dhe ku askush nuk mund të dalë mbi ligjin (në këtë rast Statutin e Partisë) dhe çdo vendimmarrje merret në përputhje me këtë statut. Shkelja e Statuti nga çdo nivel i Partisë apo anëtar i saj ka penalitete që parashikohen në këto ndryshime statutore.

2. Si një Parti e djathtë ku barazia para ligjit është në themel të parimeve të Partisë, ndryshimet statutore të propozuara janë një gur themel për ringritjen, bashkimin dhe mirë funksionalizimin e Partisë. Ndryshimet Statutore që propozohen përbëjnë një nga sistemet më eficiente të funksionalizimit të Partive të bazuara në liberalizmin klasik, por edhe mund të shërbejnë si një pikënisje e mirë për demokratizmin e të gjithë partive politike në vend, pasi vlera e tyre është demokracia e brendshme, zbatimi me rreptësi i statutit dhe liria e çdo anëtari.

3. Ndryshimet Statutore të cilat janë bazuar në shembujt më të mirë të CDU-së Gjermane, Konservatorëve Anglezë, Republikanëve Amerikanë si dhe Statutin e Partisë Demokratike të vitit 2005 dhe 2009, krijojnë një sistem “Check and Balance” në Parti duke i dhënë fuqinë e duhur çdo forumi të Partisë dhe ku baza e të gjithë aksionit politik në Partinë tonë mbetet liria dhe vota e lirë dhe e pacenuar e çdo anëtari. Çdo Anëtar i Partisë Demokratike pavarësisht funksionit që mban në Parti është një anëtar me të drejta të barabarta i Partisë dhe vota e tij/e saj është e barabartë.

4. Në të përgjithshmen e saj, këto ndryshime statutore synojnë ta kthejnë Partinë Demokratike në institucionin politik demokratik në vend duke bërë ndarjen e pushteteve brenda strukturës partiake. Në këtë strukturë të re të propozuar propozohet të ketë tre pushtete, a) Legjislativ i përbërë nga dy dhoma Kuvendin Kombëtar dhe Këshillin Kombëtar; b) Ekzekutiv i përbërë nga Kryesia e Partisë; c) organet e pavarura që mbikëqyrin veprimtarinë e Partisë në përputhje me Statutin e saj dhe Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

5. Të tre pushtetet zgjidhen nga anëtarët e PD-së me votë të fshehtë dhe me konkurrencë të plotë, duke u bazuar në parimin bazë të së djathtës “meritokracinë” dhe qarkullimin e elitave brenda strukturave të partisë duke ruajtur traditën dhe duke u reformuar mbi bazën e saj. Kuvendi Kombëtar dhe Këshilli Kombëtar propozohen të kenë nën drejtimin e tyre një Kryetar të propozuar dhe të zgjedhur me votat e anëtarëve të secilit institucion, pozicione këto që krijojnë edhe pavarësinë e pushteteve brenda partisë dhe në procesin e vendimmarrjes.

6. Organi më i lartë politik i Partisë Demokratike sugjerohet të jetë Këshilli Kombëtar i cili do të ketë, një kryetar dhe 2 Nënkryetarë njëri prej të cilëve të jetë propozim i Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe një nënkryetar nga Lidhja Demokratike e Gruas.

7. Vendimmarrja për sa i përket strukturave të Partisë Demokratike, listës së kandidatëve në nivel lokal dhe nivel qëndror si dhe kandidaturave për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare nisin nga baza, aktivi i grupseksioneve dhe përzgjedhja bëhet në bazë të intervistave të kandidatëve nga Bordi Koordinues i Qarkut dhe më pas kalon për vendim pranë Komitetit të Kandidaturave, një strukturë e re e përhershme e ngritur pranë Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Vendimi përfundimtar për listat finale të kandidatëve të PD-së merret me votim nga Këshilli Kombëtar dhe 30 ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e listave pranë KQZ-së.

8. Çdo vendim politik, strategji politike apo vendimmarrje për interesa të partisë dhe të vendit merret vetëm nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i cili do të mblidhet jo më pak se katër herë në vit.

9. Këshilli Kombëtar i cili do të jetë organi më i lartë vendimmarrës i Partisë Demokratike propozohet të ketë 120 anëtarë, ku 90 prej tyre do të jenë të zgjedhur me propozime të drejtpërdrejta dhe votim të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike.

10. Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike propozohet të ketë jo më shumë se 1100 anëtarë të zgjedhur nga anëtarësia e partisë dhe të zgjedhë një Kryetarë të Kuvendit i cili/e cila të jetë një personalitet me përvojë në Partinë Demokratike.

11. Kryesia e Partisë Demokratike do të jetë organi ekzekutiv i PD-së ku në përbërje të tij do të ketë 25 anëtarë dhe 15 prej tyre do të zgjidhen me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar i PD-së.

12. Kryetari i Partisë Demokratike është përfaqësuesi politik i Partisë Demokratike, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm është organi më i lartë organizativo-administrativ i PDSH-së.

13. E veçanta e këtyre propozimeve janë edhe ngritja e organeve të pavarura të Partisë siç është edhe Komisioni Qendror i Apelimit të Partisë Demokratike (ose Gjykata e Partisë), një strukturë e pavarur e PD-së, funksionale dhe me mandat 4 vjeçar, e zgjedhur me votim të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar ku në përbërje të tij do të ketë 5 anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe Kryetar i saj do të jetë një jurist me përvojë anëtar i partisë (ex officio). Çdo anëtar partie do të ketë të drejtën e apelimit të vendimeve të partisë pranë Komitetit të Apelimit dhe vendimet e tij do të jenë finale dhe të padiskutueshme.

14. Komisioni i Anëtarësisë dhe i Zgjedhjeve në Parti do të jetë një organ tjetër i pavarur, me mandat katër vjeçar dhe i zgjedhur nga Këshilli Kombëtar në përbërje të të cilit do të zgjidhen 7 anëtarë të Këshillit Kombëtar, i cili do të mbikëqyrë zgjedhjet në parti si dhe listën e anëtarësisë së Partisë.

15. Bordi Financiar i Partisë do jetë gjithashtu një organi i pavarur i Partisë i cili do të zgjidhet me votim të fshehtë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë dhe do të auditojë/inspektojë gjithë financat e partisë në çdo nivel dhe do të raportojë pranë Kuvendit Kombëtar.

grupi anti basha tabela 1

grupi anti basha tabela 2
(Dokumenti me 15 ndryshimet që kërkohen në statutin e PD)

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Firmoset marrëveshja me Fondin e Katarit, për sheshin fundor te 'Bulevardi i Ri', Veliaj: Pajë që do t’i mbetet Tiranës! Fokus te puna, që të lëmë gjurmë, jo te zhurma

Firmoset marrëveshja me Fondin e Katarit, për sheshin fundor te 'Bulevardi i Ri', Veliaj: Pajë që do t’i mbetet Tiranës! Fokus te puna, që të lëmë gjurmë, jo te zhurma