Policia e Tiranës ka arrestuar sot një 51 vjeçare vietnameze e cila dyshohet se ushtronte prostitucion në një apartament me qira në rrugën “Mine Peza”.

Arrestimi i saj u krye nga Komisariati i Policisë nr.3 në kuadër të operacionit 'Foleja 3'. 

Sipas policisë, hetimet zbuluan se si gruaja e huaj kishte përshtatur apartamentin për këtë veprimtari të paligjshme. Gjatë kontrolleve u sekuestruan shuma parash dhe një telefon celular, të cilat dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm.

Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe dy shtetas, të dyshuar se kanë përfituar nga kjo veprimtari.