Komisioni i Ekonomisë miratoi vetëm me votat e mazhorancës aktin normativ të rishikimit të buxhetit për vitin 2025, që u bë në dhjetor të vitit të kaluar, ku u vendos edhe dhënia e shpërblimit për familjet me ndihmë ekonomike dhe invalidët.

Gjatë diskutimeve në komision deputeti i PS-së Erion Braçe kërkoi sqarime nëse në aktin normativ është i përfshirë edhe dëmshpërblimi i familjeve të prekura nga zjarret e verës të cilëve ju ngordhën bagëtitë. 

“A është parashikuar në aktin normativ të dhjetorit kompensimi i familjeve që u prekën nga ngordhja e bagëtive prej zjarreve në verë? Se ministri i bujqësisë na ka thënë në nëntor që do të përfshihet në akt normativ”, pyeti Braçe.

“S’ka kërkesë nga ministria e bujqësisë e bujqësisë për të dëmshpërblyer qytetarët e dëmtuar nga zjarret e verës. Pra s’ka kërkesë për kompensim për bagëtitë e ngordhura nga zjarret gjatë verës. Është ngritur një kompensim që po vlerëson këto dëme, por duhet patë edhe kuadri ligjorë nëse na e mundëson dëmshpërblimin e tyre”, u përgjigj ministri i Financave, Petrit Malaj.

“Ka kaluar një muaj nga deklarimi i ministrit këtu dhe natyrisht ka njerëz meritojnë paratë. Sektori mbi të gjitha meriton paratë. Kjo mbështetja buxhetore që ne kemi dhënë lidhet me masat e mbështetëse që. Po dëmi për ata që kanë mbjellë dy herë brenda një muaji është kolosal. Dhe në qoftë se ne nuk do i dëmshpërblejmë ata njerëz që kemi humbur dy cikle prodhimi edhe të pranverës, por edhe të verës. Nuk do kemi importe në radhë të parë, dhe do kemi çmime më të larta për brenda kombit. Prandaj ne duhet të paguajmë për ta”, tha Braçe.

Diskutime në komision pati edhe për mos realizimin e shpenzimeve gjatë vitit të kaluar. 

“Investimet me financim të brendshëm është 90%, me financim të huaj është 62.4%. Ecuria e ngadaltë e investimeve të huaja vjen për shkak të procedurave të prokurimit publik që varen nga institucionet e huaja. Projekti me realizimin më të ulët që ka ndikuar tek financimi i brendshëm është ai i portit të Durrësit që ende nuk kemi lidhur në kontratë pavarësisht se kanë qenë në dispozicion fondet për 2025-ën”, tha Malaj.

Deficiti buxhetor deri më tani për vitin e kaluar rezulton të jetë 16 miliardë lekë, ndërsa pagesat për vjet ende po vijojnë. I gjithë viti duhet të mbyllet me një deficit prej 61 miliardë e 644 milionë lekë, por ende janë 46.6 miliardë lekë të pashpenzuara.