Hetimet për tjetërsimin e pronave në Dhërmi kanë çuar në pranga sot edhe topografin e Bashkisë Himarë. Mësohet se është arrestuar Elton Marko, 41 vjeç, me detyrë topograf pranë Bashkisë Himarë, i cili dyshohet se ka falsifikuar formularin e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur tek persona të tjerë.

Kujtojmë se më herët, nën dyshimin e falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronave në Dhërmi, u arrestuan Ddrejtori i administrimit e mbrojtjes së tokës në Vlorë, Bardhyl Gjika, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino dhe ish-kreu i kadastrës së Vlorës Klodjan Troci. Gjika dhe Troci ndodhen në burg, ndërsa Mino u la nga gjykata në arrest shtëpie. Sipas hetimeve, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë falsifikuar dokumente arkivorë të pronësisë, si tapi pronësie apo përdorimi për banorë të fshatrave Himarë e Dhërmi, etj. të Bashkisë Himarë.

Për një numër të konsiderueshëm praktikash, ata kanë bërë 'një sy qorr', ku ndonëse janë konstatuar dokumente pronësorë me ndërhyrje, i kanë njehsuar ato, duke i konfirmuar dhe përcjellë personave ose institucioneve kërkuese.

Ndërkohë, për shkak të frikës nga drejtësia si pasojë e shkeljeve të shumta të bëra, ata inskenuan edhe një vjedhje në zyrat e këshillit të qarkut në Vlorë ku u morën dy dosje për pronat në Dhërmi, skemë që u zbulua më pas nga policia, duke nxjerrë në dritë historinë e falsifikimeve dhe tjetërsimit të pronave që vijonte prej 3 vitesh, që nga 2019.