LEZHË- Pas dënimit nga Gjykata e Apelit në Shkodër për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, policia e Lezhës është vënë në lëvizje për prangosjen e personave të dënuar. I vetmi person që ndodhet tashmë në qeli është vetëm ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj i cili u vetëdorëzua në polici mbrëmjen e së premtes, ndërsa për personat ende nuk ka asnjë gjurmë.

Prej dy ditësh policia vijon kontrollet për prangosjen e tyre, por pa ia arritur qëllimit. Në këto kushte, ata pritet të shpallen në kërkim ndërkombëtar, pasi nuk përjashtohet mundësia që të jenë larguar jashtë territorit shqiptar.

Gjykata e Apelit në Shkodër dha këtë të premte, 28 tetor, vendimet në lidhje me akuzat për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin për 18 persona. Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i Qarku Gjok Ndoka u dënuan me nga 3 vite burg.

Gjykata gjeti fajtor dhe 16 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin, por duke bërë disa ndryshime nga vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Për ish-nënkryetarin e Bashkisë Enver Hafizi dhe ish-juristin e bashkisë Ardenis Haxhia dënimi me burg u konvertua me shërbim prove, ndërsa ish-futbollisti Renata Malotaj i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lezhës u dënua nga Apeli me 1 vit shërbim prove. 2 përfitues të pronave të tjetërsuara po ashtu u lanë në dënim me kusht.  Për personat e tjerë, Apeli la në fuqi vendimet e Gjykatës së Shkallës së parë Lezhë e cila i kishte dënuar nga 1 deri në 3 vite burg.

Personat në kërkim

  • 1.Gjok Ndoka ish-kryetar i kryetar i qarkut
  • 2.Eduart Lekaj ish-arkivist i komunës Shëngjin
  • 3.Artan Djala ish-drejtor i Hipotekës
  • 4.Ermando Jakaj ish-specialist i Hipotekës
  • 5. Lek Frroku përfitues toke
  • 6.Vasil Gjoni përfitues toke
  • 7.Zef Gjjni përfitues toke
  • 8.Luigj Paloka topograf
  • 9. Nikoll Tinaj përfitues toke