Në protestën e radhës përpara Kryeministrisë, ditën e sotme militantët e PD janë tkurrur edhe më shumë.

Sali Berisha nuk ka arritur që të mbledh me tepër demokratë rreth vetes, pasi shihet se numri i mbështetësve këtë të hënë u tkurr edhe më shumë se në protestat e mëparshme.

Report Tv ka siguruar pamjet me dronë nga protesta e PD para Kryeministrisë, ku shihet se është pjesëmarrja më e ulët në protestat që ka zhvilluar PD.

Por, përveç sheshit përpara Kryeministrisë që ishte thuajse i boshatisur nga pjesëmarrja, ku të pranishëm ishin vetëm një pjesë e grupit parlamentar të PD-së, ajo që të binte në sy në protestën e sotme të Berishës, është braktisja e këtij të fundit edhe nga demokratët në rrjetet sociale.

Ndërkohë që Berisha fliste, në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ishin duke e ndjekur live vetëm 171 qytetarë.

PD kërkon me këto protesta dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për tunelin e Llogarasë.

Kjo është protesta e gjashtë radhazi e PD, ndërsa një javë më parë PD organizoi protestën kombëtare të parë pas zgjedhjeve të 11 majit.