'Toka e Kromit' një atraksion turistik për t'u zbuluar! Lulzim Hupi: Si çova në vend amanetin e gjyshit! Gjetan Keta: Të rinjtë të kthejnë sytë nga turizmi!

BULQIZË- Sapo përmend Bulqizën mendja të shkon tek nëntoka e saj e pasur me krom që shfrytëzohet prej 70 vitesh....Por fokusi i reportazhit tonë është mbi tokë, pasi natyra i ka falur Bulqizës bukuri të rralla natyrore, por fare pak të njohura.

Mund ta vrojtosh luginën e Vajkalit teksa nxirren pa rend vagonët e kromit, nga Shkëmbi i Kullës së Skenderbeut, ku ne ndodhemi bashkë me kampionin e botës në boks, Gjetan Keta

Këtu mund shihen rrënojat e një fortifikimi që besohet se i ka shërbyer Gjergj Kastriotit në dy betejat e fushës së Vajkalit të viteve 1464 dhe 1465 kundër ushtrive otomane të drejtuara nga Ballaban Pasha.

"Ky pozicion ku jemi ne këtu, ka vlerë madhështore sepse trupa e ushtarëve që kishte lënë Skënderbeu këtu ose edhe vetë, komunikonte me Grykën e Radikës ku vinin fuqitë otomane nga Ankaraja, nga Stambolli, edhe deri në, të tjerë në qafën e Buallit. Pra kjo është një strategji madhështore që tregoi ai. Edhe ne kemi ç’të tregojmë duke fituar përvojë nga brezat e mëparshëm, ne kemi arsye të tregojmë që vendi ynë është shumë i bukur, duke filluar në radhë të parë të njohim historinë, të dytën, duke ua trashëguar brezave, por gjithmonë duke thënë realitetin, atëherë ne u bëjmë shërbim edhe paraardhësve tanë, edhe brezave që do të vijnë prapa", shprehet Ilir Puca, që ka punuar disa vite mësues në Bulqizë dhe tashmë është në pension.

Për të mbërritur tek Shkëmbi i Kullës së Skënderbeut,1000 m mbi nivelin e detit duhet të ecësh shtigjeve rreth një orë në këmbë...Guida jonë është Rigers Beqiri, i cili na shpjegon me detaje të gjitha atraksionet turistike të zonës.  

"Ne, gjatë kësaj periudhe, kemi eksploruar disa nga zonat të cilat ndodhen në Bulqizë. Unë do t’i përmend shkurtimisht, pavarësisht se janë shumë: zona e Bulqizës, zona e Grykës së Madhe, e Grykës së Vogël, e Gollobordës dhe e Martaneshit. Të gjitha kanë vende absolutisht shumë të bukura. Ka vende që ne akoma nuk kemi arritur t’i eksplorojmë, që janë në planet tona për t’i eksploruar, por gjithsesi unë do të veçoj disa nga atraksionet të cilat janë edhe janë më lehtë të aksesueshme momentalisht.     Këto atraksione janë: maja e Lepurit, liqenet e Dhoksit, shkëmbi i Kullës së Skënderbeut që jemi ne sot këtu, është Guri i Vashës, është Zerqani me bukurinë dhe historinë e vet. Në zonën e Grykës së Vogël është një rrugë shumë e vjetër, rruga e Gjocës, Gjoca i thonë banorët lokalë, e cila ka një kalldrëm që në kohën e Skënderbeut. Gjithashtu Golloborda ka një natyrë jashtëzakonisht të mrekullueshme, ku mali i Raducit është një mal shumë i bukur për t’u vizituar. Gjithashtu zona e Martaneshit është perlë për sa i përket natyrës dhe ka një vend shumë interesant, i cili vizitohet, është Balleja, e cila ka edhe teqenë e Ballesë, e cila ka një histori më vete. Gjithashtu është edhe shpella e Xixllës, që ka historinë e saj. Të gjitha këto po eksplorohen. Disa i kemi eksploruar dhe disa nga këto atraksione i kemi shenjuar në GPS, kështu që do të bëhen shumë shpejt të aksesueshme për të gjithë ata turistë të cilët do të dëshirojnë që të ndjekin GPS-në. Ndërkohë sot kemi vazhduar që të shenjojmë disa nga këto shtigje, e kështu ne do të vazhdojmë punën tonë për të promovuar turizmin. Kemi shumë besim që me mbështetje nga banorët, me mbështetje nga aktorët lokalë, por edhe në rast se do të bashkohen edhe aktorë të tjerë si të pushtetit lokal, të pushtetit qendror, organizata të tjera, ne jemi shumë të hapur për të bashkëpunuar që t’i japim sa më shumë vrull punës sonë sepse Rruga e Arbrit tani është drejt përfundimit dhe ne duhet të jemi të përgatitur që të mirëpresim turistët në zonën tonë", thotë  Rigers Beqiri, drejtues i shoqatës së turizmit në Bulqizë. 

Bulqiza është një vend premtues për zhvillimin e turizmit malor që ofron jo vetëm, bukuritë e natyrës së maleve, lumenjve e liqeneve akullnajore por dhe një vend i mbushur me histori e gojëdhëna. Pikërisht për të promovuar turizmin ka ardhur në vendlindje, kampioni botëror i boksit Gjetan Keta. 

"Këtu jemi te Shkëmbi i Kullës së Skënderbeut dhe me gjithë mend është një gjë shumë e mirë që të promovosh turizmin për rininë shqiptare. Ka gjëra aq të bukura në këtë vend, që t’i shohin turistët e huaj dhe ky vend të ecë përpara. Ka mrekulli ky vend. Unë e mbështes gjithmonë që e kam dashur dhe e dua me zemër vendin tim, Bulqizën, Shqipërinë. Tani t’i mbështesim të rinjtë, pse jo, me një fjalë që të vijnë turistët e huaj, të zhvillohet ky vend që ky vend të ecë përpara. Ka sa të duash veriu i Shqipërisë, ka gjëra të bukura, gjëra që me gjithë mend janë mahnitëse për të huajt. Shqipëria është e bukur në përgjithësi. Jugu ka detin, ne jemi vend malor, veriu. Dhe këto vende kaq të bukura, pikat e Skënderbeut që kanë historitë e veta, janë gjëra për t’i parë turizmi, për ta ditur bota se kush jemi ne. Unë u them të rinjve shqiptarë që nuk kanë përse të ikin jashtë, të rrinë në vendin e vet, “guri i rëndë peshon në vendin e vet” dhe këtu mund të arrijmë, mund të ndërtojmë. Çdo gjë fillon nga ne, po ecëm ne me turizmin, të ndërtojmë pozitiv këtë vend, atëherë do të bëhen edhe ata sensibël. Prandaj për mua është diçka shumë, shumë e mahnitshme. Unë shikoj edhe Lul Hupin që ka kullën Hupi aty, që i tërheq turistët, u tregon për vendin tonë, për Bulqizën dhe ky është respekt. Kushdo që bën për këtë vend, për vendin e vet, gëzon respekt. Për vendin e huaj mbetesh prapë i huaj", shprehet kampioni i botës Gjetan Keta.

Bulqiza dhe zonat përreth të ofrojnë një mundësi të pafundme për turizëm, kryesisht në atë malor që është edhe shumë i preferueshëm për turistët e huaj. E tillë është Ujëvara e Duriçit, e cila ndodhet në shpatin verior të malit të Kaptinës. Uji i saj vjen nga Liqeni i Zi dhe krijon ujëvarën me lartësi 20 m. Ujëvara mund të vizitohet në çdo stinë,  por freskia që të falë gjatë verës është mahnitëse. Me shtigjet që shënuan të rinjtë e shoqatës së turizmit, vizitorët mund të orientohen më lehtë drejt kësaj mrekullie natyrore.
Tradicionalisht banorët e Bulqizës janë shquar për mikpritjen. Këtë e shohim më së miri në kullën Hupi. Pronari i kësaj copeze parajse është Lulzim Hupi, i cili është kthyer disa vite më parë nga emigracioni për të çuar në vend amanetin e gjyshit.

"Atëherë, ëndrra ime nisi duke qenë një emigrant në Greqi dhe atje kemi punuar disa vite në turizëm, mësuam edhe disa rëndësi që turizmi atje ka. Mendova që amanetin e gjyshit, të Jonuz Hupit, unë si trashëgimtar ta ruaja dhe ai më la një amanet, tha: “Kulla e të parëve tanë, qindravjeçare, duhet ruajtur ashtu siç e kemi ruajtur deri tani”. Pra unë vendosa që ta ndërtoj vetë pra atë kullë, t’ia pastroj çdo gur dhe ta kthej në bujtinë. Falënderimi i takon edhe qeverisë shqiptare që e bëri ëndrrën time realitet, duke më ndihmuar me AZHBR-në me një staf të mrekullueshëm, që na besoi dhe na ndihmoi për ta çuar ëndrrën përpara", shprehet ai.       

Të ndalojmë pak tek AZHBR-ja. Konkretisht Kryeministri Rama ka qenë te Kulla Hupi? 

    "Po, dhe në fakt dua ta falënderoj sepse ishte besim. Ai më dha besim shumë të madh. Ajo që unë e falënderoj kryeministrin është, e them dhe një herë, faleminderit kryeministër Edi Rama për besimin që na dhatë dhe faleminderit që besuat tek ëndrra jonë! Kjo që po thosha, nisi nga nëntoka. Pra unë fillova punë si minator i thjeshtë, me një rrogë minimaliste siç janë këtu në Bulqizë, me 20 000 lekë të vjetër në ditë. Pra, një pjesë të ditëve e bëja atje nën tokë dhe pjesën e pushimit e bëja mbi tokë. Ky ishte mesazhi im edhe për të gjithë. Kam një mesazh për të gjithë këta të rinjtë këtu, që të mos e shohin vendlindjen si pamundësi, por ta shohin si mundësi, ashtu si unë dhe disa miqtë e mi kemi krijuar këtu, në vendlindjen  tonë. Dhe këtu gjej rast që të falënderoj edhe zinxhirin që ne kemi krijuar, pra Shoqatën e Turizmit, PLUS-in dhe ty Mahir që na ke mbështetur me çfarë ke mundur, gjithandej, pra ke ardhur për të na orientuar dhe ndihmuar se si ne ta promovojmë Bulqizën, t’i promovojmë vlerat tona dhe pasuritë tona që na rrethojnë", shprehet ai.

Lulzimi e ka shndërruar kullën e vjetër në një bujtinë tradicionale që shpalos vlerat kulturore dhe gastronimike të zonës. Ai thotë se e ardhmja e kësaj zone është agroturizmi. Pytjes se çfarë pëlqejnë turistët e huaj që vizitojnë kullën, ai shprehet:

     "Të huajt kanë qejf, bukë e kripë e zemër, them unë. Pra ata, ato duan më shumë, pra thjeshtësinë, duan atë që ti di ta bësh më mirë edhe nuk do shkollë. Pra unë mendoj se çdokush prej nesh mund ta arrijë dhe mund ta bëjë diçka të bukur këtu, një bujtinë të re, një stan, një restorant, një kampig dhe shumë e shumë gjëra sepse Rruga e Arbrit, ajo që ne e kemi ëndërruar prej dhjetëra vitesh, edhe sot po bëhet realitet. Pra, nëse ne kthehemi te tokat e të parëve, i punojmë ato, krijojmë historinë dhe zinxhirin e këtyre agroturizmeve që janë futur së fundi, se edhe kulla jonë po shkon drejt një agroturizmi. Me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe të Bashkimit Evropian, ne do të krijojmë një agroturizëm këtu në zonën e Bulqizës. Kulla Hupi do të jetë një atraksion dhe një destinacion për të gjithë ata që kanë dëshirë të vizitojnë vendet malore dhe do të jemi në të katër stinët e vitit. Pra, këtu do të kenë mundësinë që të na vizitojnë në të katër stinët e vitit. Kemi borën, malet, liqenet, ujëvarat, kullën e vrojtimit ku jemi ne sot, kemi shumë e shumë vende, atraksione shumë të bukura turistike". 

Me përfundimin e Rrugës së Arbrit, nga Tirana do të shkohet në luginën e bukur të Dibrës për një orë.... Ndaj "Toka e Kromit" pritet të marrë një dimension të ri në zhvillimin e turizmit malor...

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat