Planeti nuk debaton. Nuk negocion. Ai dërgon sinjale. Toka tashmë po na flet përmes temperaturave rekord, zjarreve pyjore gjithnjë e më intensive, stuhive ekstreme dhe akullnajave që po zhduken para syve tanë.
Për vite me radhë, kemi thënë se kufizimi i ngrohjes globale në 1.5°C është thelbësor për të shmangur pasojat më të rënda të ndryshimeve klimatike. Sot, ky prag është shumë pranë tejkalimit dhe çdo fraksion grade ka rëndësi.
Ndryshimet klimatike nuk janë më një kërcënim i së ardhmes: ato po riformësojnë jetën në të gjithë planetin.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar botën për mundësinë e formimit të një fenomeni natyror meteorologjik të quajtur “Super El Niño”, i cili mund të jetë ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë. Ky fenomen sjell mot ekstrem me temperatura të larta dhe reshje të forta.
Megjithatë, një forcë tjetër po fiton vrull: veprimi kolektiv. Komunitetet po rikthejnë ekosistemet. Të rinjtë po nxisin ndryshimin. Energjia e pastër po transformon qytetet dhe shtëpitë. Panelet diellore shtrihen mbi çatitë e ndërtesave. Turbinat e erës rreshtohen në horizont. Qytetet po ridizenjohen për njerëzit. Pyjet po ripyllëzohen. Zgjidhjet për klimën po hedhin rrënjë në çdo cep të planetit për të ndërtuar një të ardhme ndryshe.
Dita Botërore e Mjedisit na kujton se ende kemi kohë për të ndryshuar drejtim. Toka po na dërgon sinjale. Pyetja është: çfarë sinjali do t’i dërgojmë ne asaj në këmbim?
Pikërisht këtu fokusohet Dita Botërore e Mjedisit. Ajo organizohet çdo vit nga një vend i ndryshëm, ku zhvillohen edhe aktivitetet zyrtare të kremtimit. Vendi mikpritës për vitin 2026 është Azerbajxhani.
Si vend organizator i Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në vitin 2024 (COP29), Azerbajxhani avancoi axhendën globale të klimës, duke siguruar vendime historike për financimin e klimës dhe tregjet e karbonit, si dhe duke nisur iniciativa që lidhin veprimin klimatik me biodiversitetin, tranzicionin energjetik, ujin, bujqësinë dhe ndikimin në shoqëri.
E vendosur në udhëkryqin mes Lindjes dhe Perëndimit përgjatë Rrugës historike të Mëndafshit, Azerbajxhani është një vend me një larmi të jashtëzakonshme natyrore. Peizazhi i tij shtrihet në dy zona kryesore klimatike, subtropikale dhe të buta, dhe përfshin 8 lloje të ndryshme klimash, nga pyjet subtropikale deri te ekosistemet alpine, duke krijuar një biodiversitet të pasur. Vendi po investon në energjinë e rinovueshme, po zgjeron sipërfaqet pyjore dhe po çon përpara iniciativa për mbetje zero, duke u bërë kështu një partner natyror për këtë mobilizim global.
Azerbajxhani po forcon më tej kontributin e tij në axhendën globale të mjedisit dhe klimës përmes një sërë ngjarjesh të rëndësishme që do të organizojë këtë vit. Këto përfshijnë sesionin e 13-të të Forumit Botëror Urban (ËUF13) në muajin maj, të organizuar në partneritet me UN-Habitat; takimin e tretë joformal të krerëve të delegacioneve të Konventës Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC) në Shamakhi në korrik; si dhe Javën e Veprimit Klimatik të Baku, nën kujdesin e UNFÇC-së.
Azerbajxhani do të presë kremtimin global të kësaj dite, ndërsa një varg aktivitetesh, fushatash dhe nismash krijuese do të zhvillohen në të gjitha kontinentet, në ekrane, në rrugë dhe në komunitete anembanë botës.
Komente










