Kur ka kaluar më shumë se 1 vit nga dorëheqja e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Paulin Ndreu, këtë të hënë është emëruar drejtori i ri.
Në këtë post është emëruar Tomor Harizi, i cili që nga shtatori i vitit 2024 ishte komanduar në këtë detyrë, për të zëvendësuar drejtorin e dorëhequr.
Drejtori i ri Tomor Harizi ka një karrierë të gjatë nē fushën e detarisë dhe një sërë kualifikimesh ndërkombëtare në këtë fushë.
Harizi është diplomuar në Akademinë e Detarisë në Vlorë në vitin 1994, me kualifikim si Komandues Detar. Karriera profesionale është ndërtuar mbi përvojën në fushën e detarisë dhe angazhimit institucional në administratën detare.
Në periudhën 1995–2006 ka ushtruar detyra të ndryshme në sektorin privat, kryesisht në fushën e detarisë, duke shërbyer si Oficer i Parë dhe Kapiten Anije në anije tregtare.
Në vitin 2007 ka filluar përvojën profesionale në Kapitenerinë e Përgjithshme të Porteve të Republikës së Shqipërisë (sot Drejtoria e Përgjithshme Detare), ku ka ushtruar detyra të ndryshme, duke filluar si Inspektor Kapitenerie, më pas si Përgjegjës i Sektorit të Kontrollit Shtetëror Portual. Nga viti 2020 ka ushtruar funksionin e Zv/ Drejtorit të Përgjithshëm dhe Kapitenit të Porteve.
Harizi ka një sërë kualifikimesh në fushen detare pranë institucioneve nderkombetare si IMO dhe EMSA.
Në dhjetor 2025 është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme Detare.
Komente










