Tiranë – Shqipëria dhe Franca po thellojnë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, me fokus te reforma në sistem, modernizimi i legjislacionit penal dhe lufta kundër krimit të organizuar. Kjo u theksua gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp mes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu dhe homologut francez, Gérald Darmanin, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë.

Ministri Gogu e cilësoi vizitën si një moment të rëndësishëm për të treguar nga afër progresin e Shqipërisë në një dekadë reformë në drejtësi, duke theksuar ndarjen e saj nga politika dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve. “Është puna e një shoqërie të tërë për të ristrukturuar drejtësinë dhe për ta çuar drejt standardeve europiane”, u shpreh ai.

Sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve shtrihet në disa drejtime konkrete, nga rishikimi i Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, te forcimi i kapaciteteve në sistemin e magjistraturës. Në këtë kuadër, një rol kyç luan partneriteti mes Shkollës së Magjistraturës në Shqipëri dhe asaj franceze, i cili u rinovua gjatë kësaj vizite.

Nga ana e tij, ministri francez Gérald Darmanin vlerësoi reformat “jashtëzakonisht ambicioze dhe mbresëlënëse” që Shqipëria ka ndërmarrë në drejtësi, duke theksuar rëndësinë e shtetit të së drejtës për integrimin europian të vendit.

“Jemi shumë të lumtur që t’ju mbështesim përmes ekspertëve, magjistratëve dhe profesorëve tanë në rishikimin e legjislacionit penal”, deklaroi ai, duke shtuar se Franca do të vijojë të jetë një partner aktiv në këtë proces.

Një tjetër fokus i bashkëpunimit është lufta kundër krimit të organizuar, ku të dy vendet synojnë të thellojnë koordinimin, veçanërisht në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale. Darmanin vlerësoi gjithashtu praktikat shqiptare në këtë drejtim, duke theksuar se ato mund të shërbejnë si model edhe për Francën.

Në deklaratë u theksua edhe rëndësia e zgjerimit të bashkëpunimit në sistemin penitenciar, si dhe në shkëmbimin e informacionit dhe inteligjencës.

Vizita e ministrit francez në Tiranë vjen në një moment kyç për Shqipërinë, në prag të Kongresit Botëror të Ligjit që do të mbahet në kryeqytet në vitin 2027, duke e vendosur vendin në qendër të dialogut ndërkombëtar për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:24
‘Drejtësia nuk është slogan’/ Gogu para studentëve: Reforma nuk mbahet vetë, varet nga ju

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zgjodhi të flasë drejtpërdrejt me studentët e drejtësisë për rolin që ata do të kenë në të ardhmen e sistemit, duke e vendosur theksin te përgjegjësia individuale dhe standardet europiane të drejtësisë.

Në një aktivitet ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Drejtësisë së Francës, Gérald Darmanin, Gogu u shpreh se sundimi i ligjit nuk është një slogan politik, por një mënyrë e përditshme funksionimi e shtetit.

“Sundimi i ligjit do të thotë që pushteti i nënshtrohet ligjit, që çdo qytetar është i barabartë para tij dhe që të drejtat e njeriut janë garanci reale në çdo proces”, theksoi ai.

Duke iu drejtuar studentëve, ministri e lidhi drejtpërdrejt reformën në drejtësi me rolin e brezit të ri, duke nënvizuar se sistemi nuk konsolidohet vetëm përmes institucioneve, por përmes njerëzve që e zbatojnë atë.

“Reforma ka ndërtuar institucione më të forta dhe një standard që nuk kthehet pas. Por ky standard nuk mbahet vetë — mbahet nga ju, nga vendimet që do të merrni çdo ditë”, u shpreh Gogu.

Ai theksoi se integrimi europian nuk është thjesht një objektiv politik, por një standard konkret që matet me mënyrën se si funksionon drejtësia dhe si trajtohet qytetari në praktikë.

Në fjalën e tij, ministri ndaloi edhe te rëndësia e procesit të rregullt ligjor, barazisë së palëve dhe transparencës, duke i cilësuar këto si shtyllat mbi të cilat ndërtohet besimi i qytetarëve te drejtësia.

Mesazhi për studentët ishte i qartë: e ardhmja e sistemit të drejtësisë dhe rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian varen nga integriteti dhe profesionalizmi i brezit të ri të juristëve.