Ministri i Drejtësisë Toni Gogu zhvilloi sot në Bruksel një takim me ministren belge të Drejtësisë, Annelies Verlinden, ku u diskutua ecuria e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, rezultatet e reformës në drejtësi dhe bashkëpunimi dypalësh në fushën e luftës kundër krimit të organizuar.
Gjatë bisedës, ministri Gogu theksoi se Shqipëria pret një vlerësim të ndershëm dhe të argumentuar nga institucionet europiane, të mbështetur në fakte dhe rezultate konkrete, jo mbi interpretime politike. Ai nënvizoi se reforma në drejtësi ka prodhuar arritje dhe rezultate të prekshme, të cilat, sipas tij, nuk janë parë në asnjë vend tjetër në fazën e para-anëtarësimit.
Ministri theksoi se Shqipëria “nuk ka plan B”, por vetëm rrugën e integrimit europian, të fituar mbi meritë, përmes forcimit të shtetit të së drejtës, zbatimit të reformave dhe rezultateve të matshme.
Në takim mësohet se u diskutua gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit Shqipëri–Belgjikë në luftën kundër krimit të organizuar, me fokus të veçantë te konfiskimi i aseteve të paligjshme. Palët vlerësuan rëndësinë e goditjes së fuqisë financiare të grupeve kriminale dhe nevojën për koordinim më të ngushtë institucional dhe operacional.
Ministrja belge shprehu vlerësim për arritjet e Shqipërisë dhe punën këmbëngulëse të institucioneve shqiptare në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, duke garantuar mbështetje të vazhduar për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në përfundim, ministri Gogu vlerësoi partneritetin me Belgjikën dhe theksoi se Shqipëria do të vijojë punën me seriozitet për të forcuar më tej shtetin e së drejtës dhe për të avancuar drejt Bashkimit Europian me rezultate dhe meritë.
Komente










