Tony Blair  nuk do të mbajë më detyrën si i dërguari i Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Rusisë dhe OKB-së në Lindjen e Mesme.

Burime të afërta me ish-kryeministrin Britanik citohen nga BBC, që thotë se Blair do të japë dorëheqjen nga ky pozicion pasi të përmbushë angazhimet që i takojnë.

Vendimin e tij Blair e ka konfirmuar përmes një letre të dërguar sekretarit të përgjithshëm të OKB.

Megjithatë, ai do të vazhdojë të mbetet aktiv ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me rajonin e Lindjes së Mesme. 

“Zoti Blair do të mbetet plotësisht i angazhuar për të asistuar bashkëpunimin e komunitetit ndërkombëtar me Izraelin dhe Palestinën, për të sjellë progres në arritjen e zgjidhjes që parashikon krijimin e dy shteteve”, kanë thënë burimet për BBC.


Tani ish-kryeministri do të përqendrohet në përforcimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe botës Arabe, gjë që sipas tij mund të ndihmojë në përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund bllokimeve të njëpasnjëshme të procesit të paqes me Palestinën.

Blair, e mori këtë post vetëm pak orë pasi u largua nga ai i kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2007

Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)