Topi: Berisha po krijon dinasti si
Kim Jong Un, opozita po 'mbytet'

Topi: Berisha po krijon dinasti si<br />Kim Jong Un, opozita po 'mbytet'
TIRANE- Kreu i FRD-së Bamir Topi thotë se Sali Berisha vijon të drejtojë PD, ndërsa shton se bojkoti nuk është veprimi i duhur pasi vendi i opozitës është në Parlament. I ftuar në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo”, Topi shkon edhe më tej duke u shprehur se Berisha “po krijon dinasti si Kim Jong Un”. Topi ndërkaq u ndal edhe tek raportet Presidencë-Qeveri, duke u shprehur se duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët komunikimi në mënyrë që t’i jepet zgjidhje çështjeve të tilla si zgjedhja e 2 anëtarëve të Gjykatës së Lartë, apo guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, të cilat po mbahen pezull. Sipas Topit, kryeministri Rama gabon që po i lë hapësirë Presidentit Nishani, pasi zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës së BSH i takon Parlamentit, dhe më pas Presidenti zgjedh mes tyre Guvernatorin.

Ish-presidenti Bamir Topi, njëherësh kryetar i FRD, tha se Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të pastrohet nga influencat politike, duke u ndalur konkretisht tek shkarkimi i ish-nënkryetarit Çefa dhe ish-anëtarit Lelçaj. Sipas Topit të dy këta anëtarë të KLD ishin “lidhje të shkurtra të mazhorancës së kaluar, njëri i Berishës e tjetri i Topallit. Ndërkaq, ish-presidenti Topi u ndal tek rëndësia e realizimit të reformës në drejtësi, duke theksuar ruajtjen e pavarësisë së institucioneve.
 
Sa i takon bojkotit të opozitës në Kuvend, kreu i FRD-së Bamir Topi tha se ky është një veprim i gabuar, pasi vendi i opozitës është në sallën e Parlamentit.
 
Ndërkaq, kreu i FRD-së tha se forca politike që ai drejton do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 2015, por nuk përjashtoi edhe koalicionet.
 
Qeveria ka nisur aksion në disa fusha, duke e quajtur këtë nisme vendosjen e shtetit ligjor. Ndërsa opozita e quaj vendosjen e shtetit policor. Ju si e shihni?
Të gjithë e kemi parë se ka një rritje të intensitetit të deklaratave, nga ana e kryeministrit në radhë të parë, e të tjerëve më tej. Më duket se në rast se do ta krahasojmë me lojën duket sikur është sulmues që ka marrë topin, vazhdon të triblojë, dhe në një moment kërkon të shikojë ku i ka shokët, por shokët janë mbrapa. Bëhet fjalë për një shtet ligjor. Asgjë nuk mund të ketë progres në këtë vend nëse nuk shkon drejt zbatimit të ligjit dhe vendosjes së parametrave të shtetit ligjor. Askush nuk mund të dalë kundër një abuzimi që ndodh qoftë me energjinë elektrike, që për hir të së vërtetës duhet thënë se ka një abuzim shumëvjeçar. Edhe vetë zoti Rama ka qenë 11 vjet kryetar bashkie, dhe kjo nuk zbeh kthesën që ai si politikan dhe kryetar i qeverisë të ndërmarrë hapat për rivendosjes e zbatimit të ligjit. Por kanë ndodhur edhe dëme. Për ata që dëshirojnë të kenë një qytetar normal kjo është pozitive. Sidomos kur hapësirat publike janë zënë.

bamir topi

Po a po bëhen këto prishje sipas ligjit apo janë selektive sikurse thotë opozita?
Me sa kam parë unë ka edhe selektivitet. Kjo nuk i shpëton politikës shqiptare. Në rast se kryeministri Rama dëshiron të jetë vërtet i suksesshëm në një nismë që duhet të përshëndetet sa i takon rikthimit të hapësirave publike, nuk duhet të ketë selektime. Nëse bëhen kalkulime të tilla këtij ia prishim, këtij jo, atëherë nuk ka sukses.
 
Gati po i rrëzohen në bllok dekretet e Nishanit në Parlament. Si e gjykoni?
Më vjen keq për shtetin dhe institucionet, të cilët kur ndryshojnë pozicionet u rritet ndjeshmëria. Dhe disa harrojnë se kur ndryshojnë pozicionet ato që i kanë bërë paraardhësit, u vjen radha ta pësojnë edhe vetë. Mendoj se këto dy pozicione shumë të rëndësishme duhet të gjejnë një zgjidhje, pasi vendet vakante në Gjykatën e Lartë krijon probleme. Janë mijëra dosje të akumuluara. Situata duhet të zgjidhet. Ka një lloj kryeneçësie nga të gjitha palët. Të derjetën e propozimit sipas Kushtetutës e ka presidenti. Metodikën që zgjedh presidenti e ka sipas Kushtetutës. Parlamenti sheh përputhshmërinë me ligjin dhe kushtetutën, dhe më pas futet në një vullnet për të vepruar. Por në shumicën e rasteve ku vullnet ka qenë politik, dhe dekretet e presidentit janë rrëzuar.

bamir topi

Javën e kaluar u shkarkuan dy anëtarët e KLD. Ju e quani të padrejtë shkarkimin e tyre?
Unë nuk kam pasur mekanizmin, por apriori do thoja se zv.kryetari i KLD dhe anëtari janë lidhje të shkurtra më anëtarë të mazhorancës së kaluar, njëri i Berishës, e tjetri i Topallit. KLD duhet të pastrohet nga influencat politike.

Kujt i takon të zgjedhë Guvernatorin e BSH?
Zgjedhja e anëtarëve të BSH i takon Kuvendit. Presidenti zgjedh kur i jep mundësinë Kuvendi, dhe në momentin kur guvernatori zgjidhet është njëkohësisht edhe anëtar. Ndërsa presidenti në momentin kur i jepet e drejta zgjedh një kryetar mes anëtarëve. Institucionet në rast se vazhdohet të mbahen peng se nuk janë në gjendje të zgjedhin, atëherë zgjatet edhe kriza. Parlamenti zgjedh anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, dhe presidenti do zgjedhë një prej tyre. Kryeministri Rama gabon që po i lë hapësirë Presidentit Nishani, pasi zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës së BSH i takon Parlamentit. Më së fundi e ka kuptuar se presidenca s’ka qenë butik. Është një institucion për të cilin respekti ka munguar. Gjithmonë ka patur probleme me mazhorancën. Mungon respekti formal, se deri ku mund të luhet në politikë.

babaramo
 
Opozita është jashtë parlamentit. E gjykoni normale sjelljen e saj?
Jam shprehur gjithmonë kundër bojkotit. Debati duhet të bëhet në Kuvend. Arsyeja është se ajo që ka pasur në mendje, në qendër të filozofisë për të marrë peng, e për të çuar aty ku çohen pengjet zakonisht. Berisha po krijon dinasti si Kim Jong Un. Historia ka filluar dhe duhet të mbyllet me emrin e tij. Të gjithë të tjerët janë fatkeq. Ja kanë lënë zotit Ruçi të bëjë opozitë. Vazhdojnë notojmë me peshqit në ujëra që s’dihet ku do të shkojë. Kongresi i tyre ishte si kongreset e dikurshme. Është parodi. Por edhe tragjedi për pozicionin që duhet të ketë një opozitë. Një vend demokratik ka nevojë për opozitë. Askush nuk mendon se ku ka shkuar ekonomia. Edhe unë i kam bërë një ftesë Presidenti Tadiç në 2011 me akordin e forcave politike dhe të ndërkombëtarëve, edhe unë kam qenë në Beograd. Kam qenë i pari që kam ftuar në Vlorë presidentët. Vizita e Tadiç nuk u zhvillua sepse nuk e kishte kurajën të vinte, e donte një ftesë për të thënë “u ftova”. Por duhet të jemi dinjitozë, dhe jo me deklarata pasiononte. Por në radhë të parë duhet të interesohemi për problemet që kemi ne në hapësirën shqiptare. Kemi mungesën e opozitës në parlament në Shqipëri, e ndërkohë nuk është zgjedhur një qeveri në Kosovë, ndërsa në Maqedoni shqiptarët zihen në parlament.
 
Si zgjidhet ngërçi në Kosovë?
E konsideroj një problem ekskluziv të institucioneve në Kosovë. Të gjithë jemi pasionantë duke thënë do bashkohemi, por nga ana tjetër jemi të ndarë me njëri-tjetrin. Duhet të kemi një qëndrim të unifikuar. Theksoj se duhet vullnet i mirë. Ne e lejojmë që të shfaqet zëri ultranacionalist serb, madje infektoi edhe UEFA-n, dhe ne vazhdojmë debatojmë me njëri-tjetrin. Politikanët tanë duhet të linin studiot televizive dhe të kontaktonin me homologët për të zgjidhur situatën.
 
E majta ka ardhur në pushtet e bashkuar, dhe ka humbur kur ka qenë e ndarë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me të djathtën. Si e shihni klimën tashmë në PD?
Është klima e tillë që ata e kanë vizionin aq të errësuar saqë nuk dalin dot nga ndërtesa e tyre. Ata janë në një krizë strukturore. Të gjithë janë në alarm. Nuk e shoh te mundësia e një oferte apo bashkëpunimi, por e shoh më gjerë. Ata kanë prishur balancën.
 
FRD do marrë pjesë në zgjedhjet lokale?
Sigurisht që do marrë pjesë dhe FRD në zgjedhje. Por është ende për të folur. Anëtarët e FRD kanë të drejtë të vendosin të bëjnë koalicion, por do të jetë një koalicion parimor.
 
Thatë që jeni të hapur për koalicion me të gjitha partitë?
Sot është herët. Kemi një zhvillim politik shumë dinamik dhe politik. Sot po merremi me veten tonë, me forcimin e strukturave, me komunikimin në të gjithë Shqipërinë.


Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

LIVE- Orban: Javën e ardhshme në Luksemburg Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë! Ju përgëzoj

LIVE- Orban: Javën e ardhshme në Luksemburg Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë! Ju përgëzoj