TIRANE- Presidenti Bamir Topi ka përshëndetur 13-vjetorin e përfundimit të luftës dhe çlirimin e Kosovës. Në mesazhin e kreut te shtetit shqiptar theksohet se 13 vjet më parë forcat ushtarake të NATO-s realizuan çlirimin e Kosovës, duke i dhënë fund periudhës së gjatë të represionit dhe genocidit serb kundër shqiptarëve.
“Me Marrëveshjen e Kumanovës dhe vendosmërinë e shteteve perëndimore, shqiptarët e Kosovës fituan të drejtën për të jetuar në liri, në barazi, në një shoqëri të re demokratike dhe evropiane”, thuhet në mesazh. Sipas presidentit Topi, regjimi i Millosheviçit dhe mbështetësve të tij realizoi në Kosovë akte dhune e krime të pashembullta kundër qytetarëve të pafajshëm, fëmijëve dhe grave, fshatrave dhe qyteteve, duke provokuar një nga krizat më të mëdha humanitare dhe shfarosëse në historinë e Evropës moderne. Por, 12 qershori i vitit 1999 shënoi fundin e këtij regjimi dhe nisjen e një epoke të re për Kosovën e rajonin- thekson ne mesazh Topi.
“Në këtë ditë, në emër të shtetit shqiptar u shpreh mirënjohjen e thellë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian që u angazhuan në operacionet paqësore në Kosovë. Populli shqiptar do t’ju jetë përjetë mirënjohës për kontributin e tyre për paqen dhe lirinë e Kosovës”, përfundon mesazhi I kreut të shtetit shqiptar
(ln/jd/shqiptarja.com)