Kreu i shtetit dekretoi pr/ligjin për statistikat zyrtare dhe atë të prokurimeve publike. Në seancën e 1 marsit, 2012 pr/ligjet kaluan vetëm me votat e maxhorancës.
Pr/ligji për INSTAT mori 68 vota pro të maxhorancës, dhe 57 kundër të opozitës ndërsa agjencia e prokurimit publik mori 68 pro e 59 kundër.
”Në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, D e k r e t o j
-Shpalljen e ligjit nr. 21/2012 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9180, datë 5.2.2004 “Për statistikat zyrtare”. Nr. Dekretit 7339 Tiranë, më 20.03.2012”
-Shpalljen e ligjit nr. 22/2012 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar”- Nr. Dekretit 7340, Tiranë, më 20.03.2012 thuhet në faqen zyrtare të presidencës.
Maxhoranca mbrojti ndryshimet në pr/ligji si çështje administrative. Institucionet do të kalojnë nga Këshilli i Ministrave, në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit Berisha. Nga ana e saj opozita e kundërshtoi duke kërkuar kalimin e 2 institucioneve në varësi të Parlametit. Sipas tyre kjo mënyrë kontrolli nuk garanton pavarësinë e këtyre dy institucioneve dhe të dhënave që ai publikon. Në komisionin e Ekonomisë socialistët janë shprehur se me të ardhur në pushtet do të ndryshonin ligjin duke kaluar INSTAT në varësi të parlamentit
DEKRETOHET KODI PENAL
Presidenti i Republikës dekretoi ndryshimet e Kodit Penal të cilat gjetën konsensusin e të maxhorancës dhe opozitës në minutën e fundit të seancës parlamentare të 1 marsit 2012. Kodi Penal u miratua me 126 vota pro duke shpëtuar në këtë mënyrë marrëveshjen e nëntorit 2011.
”Në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, d e k r e t o j
Shpalljen e ligjit nr. 23/2012 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Nr. Dekretit 7341 Tiranë, më 20.03.2012," thuhet në faqen zyrtare të presidencës.
PERBALLJA TOPI- BERISHA
Dekretimi ndodh në një kohë kur konfliktet dhe sulmet “në distancë” (nëpërmjet medias) mes kryeministrit Berisha dhe presidentit Topi tashmë janë të hapura. Sulmi i fundit i kryeministrit Berisha ndaj presidentit Topi u bë mbrëmë në intervistën dhënë për gazetarin Blendi Fevziu, në emisionin Opinion ku Berisha.
“Nuk ka ndodhur kurrë që një president në detyrë të krijojë një parti politike. Këtë e bën vetëm ai që është primitiv në politikë. Sepse ai nuk është i lirë. Topi ka shkarkuar veten para çdo shqiptari qëkur ka deklaruar krijimin e një partie të re politike.”- tha kryeministri Berisha.
Presidenti Topi në një deklaratë të mëparshme publike, të 7 marsit, akuzoi Berishën për lidhje me Byronë dhe fotot me ta, dhe si njeri që ka teserën e Partisë së Punës, si kryeministri që nuk ka kompensuar ende ish pronarët dhe as ish të përndjekurit, premtime me të cilat mori qeverinë.
(sg/shqiptarja.com)