TIRANË - Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Bamir Topi uroi sot paradite Presidentin e zgjedhur të Republikës Franceze, Fronsua Zherar Zhorzh Olond.

"I nderuar Zoti President,

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh përshëndetjet më të ngrohta e miqësore me rastin e fitores dhe zgjedhjes Suaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës Franceze!

Me këtë rast, dëshiroj të shpreh besimin tim se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona do të forcohen dhe më shumë gjatë mandatit tuaj presidencial. Kjo miqësi, si edhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Francës do të vazhdojnë të konsolidohen më tej, në interes të begatisë e lumturisë së dy popujve tanë miq.

Më lejoni gjithashtu, Shkëlqesi, të shpreh dhe vlerësimin tim të thellë për mbështetjen që Franca i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë Shqipërisë në përpjekjet e saj drejt integrimit sa më të shpejtë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian. Duke u nisur nga ky qëllim, Shqipëria është plotësisht e përkushtuar për të vazhduar në rrugën e zhvillimit dhe përparimit demokratik e social në të gjitha fushat. Po kështu ne vlerësojmë lart rolin konstruktiv të Francës në proceset e paqes, demokratizimit dhe integrimit euroatlantik të rajonit të Ballkanit Perëndimor!

Duke shprehur urimet e mia më të sinqerta për sa më shumë suksese në misionin tuaj fisnik, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” – theksohet në mesazhin e Kryetarit të Shtetit shqiptar.



BERISHA: MIRENJOHJE KOMBIT FRANCEZ

“I nderuar zoti President,

Kam kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e fitores Suaj në zgjedhjet presidenciale të datës 6 maj 2012 në Francë, t’Ju përcjell, në emrin tim e të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë qytetarëve të vendit tim, përshëndetjet më të përzemërta, si dhe urimet më të ngrohta e miqësore për suksese në detyrën e lartë përpara Jush.

Me votën e tyre, qytetarët francezë Ju zgjodhën Ju dhe programin Tuaj për përballimin e krizës së sotme evropiane dhe botërore, bazuar në rritjen ekonomike dhe nxitjen e prosperitetit.

Me këtë rast dëshiroj edhe një herë të shpreh mirënjohjen Francës dhe kombit francez për mbështetjen e madhe që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë e shqiptarëve në përpjekjet e tyre për ndërtimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe integrimin në BE.

Unë dua t'Ju siguroj Ju zoti President se për mua dhe vendin tim, miqësia dhe bashkëpunimi me Ju dhe Francën mike është dhe mbetet një përparësi e vecantë".


(aq/shqiptarja.com)