TIRANE-Partia e re e Topit ka intensifikuar takimet me anëtarë të grupit parlamentar të PD, për të marrë mbështetjen e tyre ndoshta në një të ardhme të afërt. Nën premtimin e mosngutjes për të thithur këtë anëtarësi kualitative të grupit të PD në partinë e re të djathtë që pritet të krijohet brenda këtij muaji, që në themelim por pas largimit të Topit nga Presidenca, nga frika e "raprezaljeve" nga ana e lidershipit të PD, grupi nismëtar i partisë së Topit ka zhvilluar takime të vogla me secilin deputet apo grup deputetësh për secilin qark. Bëhet me dije se këto tre ditët e fundit, madje dhe ditën e djeshme ka pasur takime intensive me deputetët e qarkut të Durrësit, ato të Dibrës, Shkodrës, Lezhës, Beratit por dhe Tiranës, ku është bërë e ditur se janë bërë ftesa reale në drejtim të ligjvënësve demokratë të cilët nuk kanë pasur ndonjë post ministri apo në administratën shtetërore. Duke tentuar në këtë mënyrë që të thithin pikërisht më intelektualët në PD, por dhe ata më të rrezikuarit për një mandat tjetër si deputet nga Berisha për zgjedhjet e vitit 2013 për shkak se kanë qënë kritikë për qeverisjen, sidomos në mandatin e dytë por dhe kanë lëshuar akuza për korrupsion, për mungesë demokracie të brendshme në PD dhe kanë kërkuar madje dhe riformatimin e kabinetit qeveritar. Duke e argumentuar kërkesën e tyre me faktin se me këtë qeveri jo vetëm që s'fitohen zgjedhjet e vitit 2013 po për shkak të kostos së lartë të konsumimit humbja përballë opozitës do jetë shumë e thellë. Burimet brenda grupit nismëtar saktësojnë se lista e takimeve ka qënë e gjatë dhe prioritet kanë pasur deputetët e Dibrës, Sherefedin Shehu dhe Xhepa, ata të Vlorës, Demi dhe Çipi, të Beratit Xheka dhe Maliqi, i Shkodrës Paluca, i Lezhës Marku, i Durrësit Lama si dhe depuetetja e Tiranës, Pernaska. Pjestarë aktivë të grupit nismëtar kanë bërë me dije se ndaj këtyre deputetëve është ripërsëritur ftesa për të aderuar në Partinë e re të Topit, që pritet të bëhet publike me aktin e themelimit zyrtarisht brenda muajit mars, por që nga këta deputetë kërkohet që ata të aderojnë, nëse vendosin, menjëherë sapo Topi të lërë presidencën dhe të marrë drejtimin e partisë. Mësohet se disa nga këta deputetë e kanë dhënë konfermën e tyre për të qënë pjesë e partisë së re, pasi nuk e gjejnë veten më tek PD e drejtuar nga Berisha. Nga grupi nismëtar bëhet e ditur se synimi kryesor është që disa nga këta deputetë të kenë konfirmuar kalimin te partia e re e Topit, për të qënë faktor në përcaktimin e emrit të ri që do të jetë kryetar shteti. Por një largim i mundshëm dhe i pak deputetëve nga PD, për shkak se ish-zv.kryeministri dhe deputeti Oketa është larguar publikisht një javë më parë, do të sjellë një krizë të fortë në zgjedhjen e Presidentit, për shkak se PD dhe aleatët e saj nuk i bëjnë dot as 71 vota për të zgjedhur kreun e ri të shtetit në raundin e katërt, ndërkohë që PD bashkë me aleatët e saj ka vetëm 74 vota. Nga ana tjetër përpos krizës së Presidentit, një largim i mundshëm i këtyre deputetëve mund të shkaktojë dhe një krizë në qeverisje, çka mund të provokojë zgjedhje të parakohëshme, pavarësisht se ende partitë politike nuk janë gati për shkak të ngërçit aktual për reformën zgjedhore. Burimet nga grupi nismëtar i partisë së re të Topit bëjnë me dije se përtej përgatitjes për ngritjen e strukturave në të gjithë vendin, krijimit të kushteve për aleanca të mundshme me Ndokën, Ngjelën, Spahiun e Shehin, po përgatitet dhe dokumentacioni zyrtar që do të dërgohet për miratimin e partisë së re, duke parashikuar e pengesat që mund të nxirren nga ana e mazhorancës.
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)









