TIRANE- Presidenti Topi i përgjigjet ashpër kryeministrit Berisha i cili një ditë më parë e akuzoi se refuzoi të firmosë ligjin për lustracionin për të fshehur të vërtetat.
Kreu i shtetit  akuzoi kryeministrin se deformoi ligjin e lustracionit duke i kujtuar Berishës se ka ai qenë një nga personazhet e nomeklaturës së lartë të kohës së diktaturës, dhe se duhet të japë shpjegime. Jo vetëm kaq por dhe akuzoi kryeministrin se mashtron, duke premtuar kompensimin e ish pronarëve dhe ish të përndjekurit, pavarësisht se me këto premtime hipi në qeveri, dhe ka të gjitha mekanizmat për ta bërë. Deklarata e presidentit është bërë sot në mesditë, nga Kukësi, ku ndodhej me rastin rastin e 100-vjetorit të themelimit të shkollës “Lidhja e Prizrenit” në fshatim Kolesian.

LIGJI I LUSTRACIONIT ISHTE ANTIKUSHTETUES
Presidenti Topi iu përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje me akuzat e ngritura dje nga kryeministri Berisha se kishte pasur frikë në momentin kur duhet të dekretonte “Ligjin për Lustracionin”, ne 2009. Topi tha se ligji ishte antikushtetues.

“Kjo është një temë, besoj, e konsumuar prej kohësh. Unë, natyrisht që jam në dijeni të deklaratave dhe të një inkursioni të organizuar. Sërisht, duke dalë mjaft njerëz e duke akuzuar, unë kam ruajtur një profil shumë institucional, nuk jam marrë me ta, por duke dalë Kryeministri, sigurisht një përgjigje për të e kam. Për ta parë çështjen e ligjit në fjalë: Ky është një ligj, që është kthyer si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Është një ligj, që mori një kontestim të ashpër, do të thoja, edhe nga Komisioni i Venecias, edhe nga partnerët ndërkombëtarë"

TOPI: BERISHA MORAL? TE JAPE SHPJEGIME PER POLIFOTOT
Gjuha e ashpër e presidentit Topi shkoi më tej kur i kërkon kryeministrit të japë shpjegime për fotot me anëtarët e byrosë politike, dhe se në krye të Komisionit të Ligjeve, ( aktualisht në këtë pozicion është Ilir Rusmali.) ka vendosur një personazh të nomenklaturës së lartë të kohës së diktatutës.

"Përsa i përket moralit të ligjit, unë kam firmën time në vitin 2006 së bashku me zotin Majko, në një projektligj që asnjëherë nuk u miratua nga Parlamenti. Pra edhe sot e kësaj dite, ai ligj meriton që të miratohet dhe jo të deformohet për t’u bërë antikushtetues. Pastaj ka diçka tjetër që ka të bëjë me moralin. Ju e dini që njeriu që akuzon duhet të japë shpjegime për polifotot me anëtarët e Byrosë Politike të kohës së diktaturës dhe është gati-gati ironike dhe një hipokrizi e papranueshme që në krye të Komisionit të Ligjeve, aty ku çertifikohen ligjet edhe për të përndjekurit, është pasardhësi i një personazhi të nomenklaturës së lartë të kohës së diktaturës."
Ne dhjetor te 2010, emisioni “Fiks Fare” ne “Top Channel” transmetoi dy  foto te shume viteve me pare, ku Kryeministri Berisha, ndodhet ne nje varke me disa persona, nga te cilet spikasin Sokol Hoxha, djali i Enver Hoxhes dhe bashkeshortja e tij, Liljana Hoxha. (Fotot e shkrimit)

TOPI: TE HAPEN DOSJET
Gjithashtu ai akuzoi kryeministrin se mashtron, duke premtuar kompensimin e ish pronarëve dhe ish të përndjekurit, pavarësisht se me këto premtime hipi në qeveri."Ky personazh, ka marrë pak a shumë pamjen dhe fizionominë e David Koperfildit. Është bërë iluzionist. Ka njëzet e dy vjet që u thotë shqiptarëve se do t’u kthejë pronat dhe nuk ua kthen. U thotë të përndjekurve politikë që do të kompensoheni dhe për njëzet e dy vjet me radhë nuk e bën. Ndërkohë që ka qenë detyrimi i parë për ta realizuar. Pikërisht ky ka qenë programi i Partisë Demokratike, për të cilin ne jemi rivotuar në vitin 2005, për të cilin ne kemi bërë një luftë që ka qenë shumë parimore dhe kjo punë nuk mund të shkojë më me deklarata. E ka pasur mundësinë. Ka shtatë vjet që është për së dyti në pushtet dhe nuk e bën.
Pra, kur bëhet pastaj ballafaqimi i figurave që nuk kanë të bëjnë fare me diktaturën, por që kanë konsumuar diktaturën e të tjerëve, ndërkohë që ky personazh që nga vitit 1968 është anëtar i Partisë së Punës, Sekretar Partie, dhe njëzet e dy vite të tjera bën përralla me komunizmin dhe nuk i kompenson realisht duke e pasur në dorë mekanizmin, atëhere thoni ju se ku qëndron e vërteta. Pra, unë jam edhe njëherë, për hapjen e dosjeve, dhe të jeni të sigurtë se me hapjen e dosjeve shqiptarët do të shohin çudira edhe tek ata që merren me politikë!"
(sg/shqiptarja.com)