Një ditë e ngjeshur dhe e ngarkuar sot për kreun e PD-së, Lulzim Basha, të cilit një ditë më parë ambasadorja e ShBA Yuri Kim i la të gjitha përgjegjësitë për të ardhmen e vendit. Prej orës 15:30, kreu i PD, Lulzim Basha është 'ngujuar' në selinë e PD dhe nuk ka asnjë informacion. Ndërsa të dhënat për ecurinë e arritjes së një marrëveshje janë 'hermetike'.

Lulzim Basha, përveç një reagimi të shkurtër mbrëmë, nuk ka ende një përgjigje për ambasadoren e ShBA, e cila la topin në fushën e tij.

Sot, për rreth dy orë nga ora 16:00 deri në orën 18:00 Lulzim Basha priti në takim aleatët, Monika Kryemadhin dhe Petrit Vasilin, Fatmir Mediun dhe Shpëtim Idrizin, ndërsa mungonin aleatët e vegjël, Dashamir Shehi dhe Nard Ndoka. 

Mësohet se Lulzim Basha ka diskutuar me aleatët çështjen që ka mbetur pezulluar të reformës, depolitizimin e administratës zgjedhore.

Paraditen e sotme Lulzim Basha ka patur takim edhe me ekspertët e reformës zgjedhore Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso, Enkelajd Alibeaj dhe Çlirim Gjata. Ndërsa pati edhe një drekë pune me ambasadorin e Gjermanisë, Peter Zingraf.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:26
Pas takimit me ambasadorin gjerman, Basha takon për rreth 2 orë aleatët dhe ekspertët

Për rreth 2 orë Basha ka pritur në takim aleatët, Kryemadhin dhe Vasilin, Fatmir Mediun dhe dhe Shpëtim Idrizin. Mësohet se ata kanë diskutuar  për çështjen që ka mbetur pezulluar të reformës, administratën zgjedhore. Paraditen e sotme Basha ka patur takim me ekspertët e reformës zgjedhore. Ndërsa pati edhe një drekë pune me ambasadorin e Gjermanisë. Biseda zgjati për më shumë se një orë në një nga restorantet e kryeqytetit. Zingraf takoi Lulzim Bashën pas bisedës me ambasadorët për rreth një orë te 'Shtëpia e Europës'. 

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim dje ishte e prerë dhe shumë e qartë në mesazhin e saj se përgjegjësia është e Lulzim Bashës duke i thënë hapur se "topi është në fushën e tij dhe tashmë ai ka në dorë integrimin e vendit".

Ditën e djeshme, Basha me një deklaratë tepër të shkurtër tha se është arritur progres për zgjedhore, por ka ende një çështje pa zgjidhur. "Është bërë progres drejt dakordësisë për administrimin zgjedhor, ka mbetur një çështje pa zgjidhur.

Sigurojë shqiptarët që opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë dhe të ndershme", tha Basha.