PRIZREN- “Bashkimi ynë kombëtar, ashtu siç e dëshiruan stërgjyshërit tanë atdhetarë në Prizren para 134 vjetësh, do të ndodhë në Bruksel, në qendrën administrative të NATO-s dhe Bashkimit Evropian!”- është mesazhi që presidenti Bamir Topi përcolli sot nga Tirana me rastin e 134 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Presidenti nuk ka qenë i pranishëm në ceremoninë festive që po zhvillohet sot paradite në Prizren.

Në Prizren për të festuar 134 vjetorin e Lidhjes ndodhet kryeministri Berisha i shoqëruar nga zonja e tij Liri Berisha dhe kryeministri Hashim Thaçi.

Presidenti e vlërësoi ditën e sotme si datë të lavdishme, e cila “përcaktoi në mënyrë të qartë bashkimin e ideve e përpjekjeve për çlirim dhe mëmvetësi si dhe të ardhmen e kombit tonë.”

“Historia shumëshekullore e mbarë popullit shqiptar ka qenë e tejmbushur dhe e karakterizur nga një kalvar i pafund sakrificash, luftërash dhe aspiratash por Lidhja e Prizrenit, ashtu si dikur Besëlidhja e Lezhës në kohën e lavdishme të Skënderbeut, shënoi një nga pikat më kulmore të ekzistencës moderne të kombit tonë me një bashkim idesh, përpjekjesh dhe veprimesh të bashkërenduara për liri dhe bashkim.’nënvizoi presidenti.

“Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në një kohë kur shqiptarët si komb, në shtete të ndryshme të rajonit ku fati i hidhur i historisë i detyroi të jetojnë të ndarë nga trungu i vendit amë, janë të orientuar drejt integrimit me dinjitetet dhe me vlerat tona të spikatura në strukturat euro-atlantike, dëshiroj t’ju uroj gëzuar 134-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit! Sot, kur Shqipëria është anëtare e Aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë dhe synon t’i bashkangjitet familjes së madhe evropiane, kur Kosova është një shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe kur faktori shqiptar në Ballkan vazhdon të luajë rolin e vet vendimtar e moderator në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë, dëshiroj të vë në dukje gjithashtu se bashkimi ynë kombëtar, ashtu siç e dëshiruan stërgjyshërit tanë atdhetarë në Prizren para 134 vjetësh, do të ndodhë në Bruksel, në qendrën administrative të NATO-s dhe Bashkimit Evropian!”-thuhet në mesazhin e presidentit Topi të publikuar në faqen zyrtare të presidencës.